Popullsia e Shqipërisë ka pësuar një tkurrje natyrore në tre muajt e parë të vitit 2025, me 883 më shumë vdekje sesa lindje, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.
Në këtë periudhë, numri i lindjeve ka rënë me 14.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke sinjalizuar një krizë të thelluar demografike.
Tirana mban sërish peshën më të madhe të lindjeve me 1,750 foshnje të regjistruara, ndërsa në skajin tjetër, Gjirokastra shënon vetëm 76 lindje, duke vijuar trendin e vitit të kaluar kur në të gjithë vitin 2024 pati vetëm 336 lindje.
Nga ana tjetër, vdekjet kanë shënuar një rënie me 5.8%, por sërish mbeten më të larta se lindjet. Në Tiranë u regjistruan 1,423 vdekje, ndërsa qarku i Shkodrës ka përjetuar një rritje të vdekjeve me 4.3%.
Për krahasim, gjatë gjithë vitit 2024 u regjistruan 23,310 lindje dhe 22,102 vdekje, duke dhënë një bilanc pozitiv prej 1,208 personash. Por vetëm në tremujorin e parë të 2025-ës, ky raport është përmbysur.