FLASH :

Tjetërsimi i pronës që u ble nga Artan Gaçi, dënohet me burg Jorgo Goro, a do t’i hiqet mandati Olta Xhaçkës?

GJKKO ka dënuar me 3 vite e 1 muaj burg, ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i akuzuar për shpërdorim detyre në dy raste për çështjen e tjetërsimit të 10 mijë metra katrorë tokë në Gjilekë të Dhërmiut, e cila më pas u ble nga ish-deputeti socialist Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së jashtme dhe deputetes aktuale të PS Olta Xhaçka.
Për pronën në fjalë, Gaçi u shpërblye nga qeveria si investitor strategjik.


Opozita kërkoi heqjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka për këtë çështje, gjë e cila nuk u pranua nga shumica.
Por tashmë që ka dhe një vendim gjykate, opozita mund t’i rikthehej çështjes, e cila do ta ngarlkonte me një barrë më të rëndë politike shumicën, e cila nëse i del në mbrojtje Xhaçkës, tani që mbi çështjen ka një vendim gjykate, do të bëhej palë me shkelësit e ligjeve dhe përfituesit e përfitimeve të paligjshme.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Goro do të vuajë 2 vite e 20 ditë burg dhe i hiqet e drejta të ushtrojë funksione publike për 5 vite.
Ndërkohë, GJKKO ka dënuar me 2 vite burg ish-juristi i Hipotekës në Vlorë, Vezir Gjikokën, dhe nga gjykimi i shkurtuar do të vuajë 1 vit e 4 muaj. Ish-drejtori i Bashkisë Himarë Jerasimo Basho dënohet me 3 vite burg dhe nga gjykimi i shkurtuar do vuajë 2 vite burg.
GJKKO ka vendosur se 10 mijë metra katrorë tokë që u blenë nga Artan Gaçi t’i kalojnë shtetit, ndërkohë që ka vendosur që apartamenti i sekuestruar t’i kthehet Gentian Sulës, për të cilën SPAK pretendonte se ishte pasuri e fshehur e Jorgo Goros.


Tjetërsimi i 10 mijë metrave katrorë
Hetimet treguan se Goro përcolli pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një toke bujqësore pronë shtet, në favor të Stavri Mëhillit, në kërkim. Pas kësaj procedure, toka u shit te një shoqëri private me përfaqësues ish-deputetin Artan Gaçi. Në total përllogaritet rreth 10 mijë m2 tokë e tjetërsuar në 2 sipërfaqe të ndryshme, për të cilën GJKKO ka vendosur që të konfiskohet për llogari të shtetit.