Policia e Tiranës ka finalizuar sot operacionin e koduar “Bashkëpunimi”, duke goditur katër raste të shitjes së drogës. Si prova materiale u sekuestruan doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, 3 celularë dhe 1 automjet
Tiranë – Shisnin lëndë narkotike në kryeqytet, arrestohen 5 persona të dyshuar si shpërndarës.
Policia e Tiranës ka finalizuar sot (1 gusht) operacionin e koduar “Bashkëpunimi”, duke goditur katër raste të shitjes së drogës.
Të arrestuarit janë Elson Tafa, Xhulian Osmanaj, Selgi Kryemadhi, Xhuliano Hysa dhe Franci Muro. Si prova materiale u sekuestruan doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, 3 celularë dhe 1 automjet.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
“Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë shtetasin F. M., 24 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine në Kamzë, kryesisht në bulevardin “Nënë Tereza”. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, iu gjetën doza kokaine;
Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponjat” arrestuan në flagrancë shtetasit: E. T., 27 vjeç dhe Xh. O., 27 vjeç, pasi u ndaluan në rrugën “Ali Kelmendi”, gjatë kohës që qarkullonin me një automjet të cilin shtetasi E. T. dyshohet se e përdorte për shitjen e dozave të kanabisit.
Gjatë kontrollit fizik, 27-vjeçarit iu gjetën doza kanabisi, ndërsa shtetasi Xh. O. nuk ka kallëzuar për krimin; S. K., 23 vjeç, pasi në rrugën “Rrapo Hekali”, gjatë kontrollit fizik i gjetën një sasi kanabisi, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen në doza;
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. H., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e tij, u gjetën doza kanabisi, që dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”.