FLASH :

Tiranë/ Finalizohet operacioni “Nënshkrimi”: Sekuestrohen 18 asete me vlerë 3 milionë euro të një notereje

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Nënshkrimi”, në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria e Tiranës për gjurmimin e pasurive me burime të dyshuara kriminale. Në fokus të hetimit ishte shtetasja S. T., 35 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar se ka përfituar pasuri gjatë ushtrimit të detyrës si notere.

Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, u sekuestruan 18 asete me vlerë totale rreth 3 milionë euro, konkretisht 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare në emër të 35-vjeçares. Krahas këtij sekuestrimi, vijojnë hetimet për të identifikuar dhe bllokuar pasuri të tjera të dyshuara, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore burimin e të ardhurave të kësaj shtetaseje.

Operacioni u realizua nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme.