FLASH :

Tiranë/ Fëmijë 9-vjeçar plagoset në kokë nga sendi i hedhur nga ballkoni – 20-vjeçarja procedohet në gjendje të lirë

Një ngjarje e rëndë që për pak sa nuk u kthye në tragjedi ka ndodhur në zonën e Shkozës në Tiranë, ku një fëmijë 9-vjeçar ka përfunduar në spital i plagosur në kokë pasi u godit nga një send i fortë i hedhur nga një ballkon. Sipas njoftimit të Policisë, sendi është hedhur në mënyrë të pakujdesshme nga një 20-vjeçare, e cila po hetohet tashmë në gjendje të lirë.

Ngjarja ndodhi të dielën, ndërsa fëmija, që kalonte në rrugë në atë moment, mori ndihmë të menjëhershme mjekësore dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Vajza e dyshuar, K.H., ka deklaruar në polici se nuk e kishte parë fëmijën poshtë dhe gjithçka kishte ndodhur aksidentalisht. Ndaj saj është regjistruar procedim penal për plagosje nga pakujdesia, ndërkohë që hetimet po vijojnë nga Komisariati nr. 1.