Policia e Tiranës ka vënë në pranga 40-vjeçarin Klajdi Ruçi, i cili ishte shpallur në kërkim pasi kishte përplasur për vdekje dy persona me makinë në vitin 2024. Ruçi ishte dënuar me 7 vite e 4 muaj burg për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por kishte shmangur vuajtjen e dënimit.
Operacioni për kapjen e tij u kodua “Unavoidable” dhe u finalizua nga forcat e rendit në kryeqytet. Pas lokalizimit dhe ndalimit të tij, ai është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi të dënuar me burgim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Komisariatin e Qarkullimit Rrugor, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Unavoidable”.
Si rezultat i të cilit, në Shkozë, u bë e mundur, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit Klajdi Ruçi, 40 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi në vitin 2024 ka shkaktuar një aksident rrugor me pasojë humbjen e jetës së dy shtetasve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.