FLASH :

Video/Momenti kur policia rrethon automjetin dhe arreston 31-vjeçarin me pistoletë në Tiranë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 31-vjeçarin Egzon Murataj, pasi u kap duke lëvizur me armë zjarri në automjetin e tij në zonën e urës së Babrroit. Gjatë kontrollit, uniformat blu sekuestruan një pistoletë me municion luftarak, automjetin dhe dy celularë si prova materiale.

Ndërkohë, pasagjeri 27-vjeçar që ndodhej me të në makinë është vënë nën hetim në gjendje të lirë, për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për 2 shtetas që lëviznin me armë zjarri në automjet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fokusi”, si rezultat i të cilit u godit një rast i armëmbajtjes pa leje.

Gjatë operacionit, në urën e Babrroit, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin me drejtues shtetasin F. B. dhe pasagjer E. M. Gjatë kontrollit në automjetit, në derën e pasagjerit, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që dyshohet se e posedonte shtetasi E. M. Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi E. M., 31 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe nisi procedimi penal për shtetasin F. B., 27 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, të dy banues në Tiranë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.