Tirana është i vetmi qark në vend që po shënon rritje të popullsisë, duke u kthyer në një magnet të emigracionit të brendshëm, por paradoksalisht, kryeqyteti po përjeton rënien më të madhe të lindjeve në Shqipëri.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2025 në Tiranë lindën vetëm 1,750 foshnja, një rënie me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo e rendit kryeqytetin në vendin e dytë për rënien më të madhe të lindjeve pas Kukësit.
Megjithatë, popullsia e qarkut të Tiranës është rritur me 7.3% ndërmjet dy censeve të fundit, 2011 dhe 2023, duke reflektuar zhvendosjen masive të banorëve nga qarqet e tjera drejt metropolit.
Çmimet po “vrasin” dëshirën për të lindur
Shkaqet e kësaj rënieje lidhen fort me realitetin ekonomik: jetesa e shtrenjtë, çmimet e papërballueshme të banesave, çerdheve, ushqimeve dhe kujdesit për fëmijët kanë frenuar shumë familje nga zgjerimi.
Nga viti 2018, çmimet e banesave në Tiranë janë rritur me mbi 60%, ndërsa qiratë janë dyfishuar krahasuar me vitin 2019, duke arritur në 300–800 euro në muaj. Ndërkohë, kostot e një lindjeje në spitale private janë rritur nga 1,000 euro në 2,600 euro.
“Kemi hequr dorë nga ideja për një fëmijë të tretë, s’mund t’ia dalim,” tregon Arbana, një nënë e dy fëmijëve dhe eksperte komunikimi, që shprehet se bashkë me bashkëshortin, megjithë pagat mbi mesataren, mezi ia dalin.
Kosto e lartë edhe pas lindjes
Pas lindjes, shpenzimet nuk ndalen. Kurset e gjuhëve të huaja, sporteve dhe muzikës janë rritur deri në 50%. Një kurs sportiv për fëmijë që dikur kushtonte 3,500 lekë, sot shkon deri në 5,000 lekë.
Sipas INSTAT, në gjithë Shqipërinë lindën vetëm 4,662 foshnja në tremujorin e parë të vitit 2025, një rënie me 14% nga një vit më parë. Tirana, që në vitin 2024 kontribuoi me 38% të lindjeve në rang kombëtar, po humbet rolin e saj si “motori i riprodhimit” të vendit, ndërsa vazhdon të mbetet qendra më e madhe e grumbullimit të popullsisë.
Shqipëria e re, pa të rinj?
Tirana mbetet simboli i kontradiktës shqiptare: një qytet që rritet në numër, por zvogëlohet në shpresë për të ardhmen. Në mungesë të politikave mbështetëse dhe përballë kostove në rritje, rënia e lindjeve pritet të thellohet edhe më tej.