Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të mirëpresë në Tiranë Konferencën Vjetore të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS). Kjo është ngjarja më prestigjioze në nivel global në fushën e mbikëqyrjes së sigurimeve.
Aktivitetet do të zhvillohen përgjatë javës 10–14 nëntor 2025, ndërsa konferenca kryesore do të mbahet më 13 nëntor, në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Pritet pjesëmarrja e rreth 500 përfaqësuesve të nivelit të lartë nga autoritetet rregullatore të sigurimeve, nga industria ndërkombëtare e sigurimeve, si dhe nga institucione financiare ndërkombëtare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, OECD, Bashkimi Evropian dhe EIOPA (Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve).
Në kuadër të aktivitetit janë planifikuar edhe takime bilaterale ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse, si dhe takime të veçanta ndërmjet drejtuesve të kompanive ndërkombëtare të sigurimeve, me qëllim krijimin e hapësirave për bashkëpunim dhe dialog strategjik në nivel drejtues të industrisë.
Një nga momentet kryesore të javës do të jetë Forumi i EIOPA-s, me temë: “Advancing Insurance Reforms on the Path to European Integration”, i cili do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë që sjell procesi i integrimit evropian për vendet kandidate, në përputhje me objektivat strategjikë të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Mikpritja e Konferencës Vjetore të IAIS 2025 është një nder për mua dhe për Autoritetin. Kjo ngjarje nuk është vetëm një moment historik, por edhe një mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për prezantimin e Shqipërisë si partner në fushën e mbikëqyrjes së tregjeve të sigurimeve”, tha Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Mimoza Kaçi.
Pas Tokios në vitin 2023 dhe Cape Town-it në vitin 2024, përzgjedhja e Shqipërisë si vend mikpritës për edicionin e vitit 2025 është një vlerësim i rëndësishëm për vendin dhe për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare si institucionin pritës. Ky organizim vjen në një moment të rëndësishëm për tregun shqiptar të sigurimeve, duke mbështetur proceset reformuese dhe integruese, me synim forcimin e institucioneve dhe të sektorit financiar, në përputhje me standardet evropiane.