TikTok ndalohet, por bëhet më i fortë: Si e anashkaluan shqiptarët qeverinë me VPN

Më 13 mars 2025, qeveria shqiptare shpalli një ndalim njëvjeçar të aksesit në TikTok, duke e justifikuar me shqetësime për sigurinë kibernetike dhe ndikimin negativ të përmbajtjeve te të rinjtë. Por ky ndalim rezultoi jo vetëm joefektiv, por edhe kundërproduktiv: përdoruesit shqiptarë, në vend që të hiqnin dorë, mësuan si të përdorin VPN dhe rifituan qasjen në platformë brenda ditës.

Sipas të dhënave nga ProtonVPN, përdorimi i këtij shërbimi në Shqipëri u rrit me 1200% në ditën e parë të ndalimit. Aktualisht, VPN-të janë në top 3 aplikacionet më të shkarkuara në App Store në vend, pas ChatGPT dhe Temu.

Ndërkohë, TikTok nuk është zhdukur – përkundrazi, ka fituar më shumë vëmendje. Vetëm një rënie modeste prej 3.3% në numrin e postimeve është regjistruar, ndërsa shikimet e videove janë rritur me 14%, sipas Pikasa Analytics. Një sinjal i qartë se ndalimi ka pasur efekt të kundërt.

Influencuesit kryesorë në TikTok, si Keishliii dhe Hati (Hatixhe Brika), jo vetëm që kanë vazhduar aktivitetin e tyre, por kanë shënuar rritje të ndjekësve dhe angazhimit. Keishliii ruan mbi 134 mijë ndjekës dhe një normë angazhimi 5.8%, ndërsa Hati ka kaluar shifrën e 512 mijë ndjekësve dhe 32 milion pëlqime në total.

Eksperti i teknologjisë Tomi Kallanxhi e quan ndalimin një leksion: “Qytetarët janë të gatshëm të sfidojnë teknologjikisht ndalimet që u imponohen. Ndalimi i TikTok ka çuar në një valë edukimi dixhital – shumë përdorues kanë mësuar si të përdorin VPN, të ndryshojnë parametrat e rrjetit dhe të mbrojnë privatësinë.”

Ai thekson se suksesi i TikTok qëndron tek algoritmi i personalizuar dhe ritmi me të cilin përmbajtja përhapet. “67% e të rinjve në Shqipëri e përdorin më shumë TikTok sesa YouTube – kjo tregon se ndalimi nuk i shkurajon, por i shtyn drejt alternativave teknologjike.”

TikTok, në vend që të dobësohej, është kthyer në një platformë të gjithanshme – nga argëtimi dhe tregtia, deri te aktivizmi politik. Në Shqipëri, gjithnjë e më shumë figura të opozitës kanë përdorur platformën për të amplifikuar mesazhet e tyre, ndërsa ndalimi është parë si një përpjekje për të mbyllur zërat kritikë në prag të zgjedhjeve.