FLASH :

TikTok më ndihmoi pasi mbeta e ve në moshën 24-vjeçare

“Nuk njoh askënd tjetër në moshën time që të jetë martuar… e aq më pak që të ketë qenë martuar dhe pastaj e ve,” thotë Tania Pomroy nga Birmingham.

Ajo u zhvendos në Coventry për studime universitare, ku u njoh me Charlotte Thomas – vajzën që banonte në dhomën ngjitur në konvikt. Ajo do të bëhej më vonë gruaja e saj. U martuan më 23 shtator 2023, saktësisht gjashtë vite pasi ishin takuar për herë të parë.

Por vetëm pesë muaj më vonë, në shkurt të vitit 2024, Charlotte ndërroi jetë, duke e lënë Tanian të ve në moshën 24-vjeçare.

“Në fillim u ndjeva shumë e vetmuar, sepse nuk ndesh shpesh gra të reja të veja,” rrëfen ajo.

Dhimbja ishte tronditëse, dhe Tania thotë se shumë kujtime nga ajo periudhë janë fshirë nga mendja. “Në fillim funksionoja thjesht në autopilot, pastaj vijnë humbjet dytësore – marrëdhënie të tjera që thyhen. Duhej të lija edhe punën time.”

“Kur humbet personin tënd, nuk humb vetëm atë, por edhe një pjesë të vetes – gjithçka që të bënte ty, ty.”

Megjithatë, dritëza e vetme në errësirë për të ishte krijimi i videove online. Që prej vitit 2020 kishte postuar në YouTube, dhe me ardhjen e TikTok-ut, nisi të ndajë aty përmbajtje të ngjashme.

Disa javë pas vdekjes së Charlotte, ajo postoi një video që njoftonte lajmin, përfshirë pamje nga dasma e tyre. Deri më sot, videoja ka mbi 7.8 milionë shikime.

“Ishte gjëja e vetme që më dukej normale në atë kohë. Mbase ndaj mora kamerën dhe vazhdova,” thotë Tania.

Në vitin që pasoi, ajo nisi të postojë më shumë për dhimbjen e humbjes dhe shëndetin mendor, duke tërhequr ndjekës të rinj që ndiheshin të lidhur me përjetimet e saj. “Kam krijuar një komunitet të vogël të njerëzve në zi që më duket kaq i ngrohtë. Tregon që nuk je vetëm.”

Tani 25 vjeç, Tania ka afro 200,000 ndjekës. Në janar ajo shkoi backpacking në Tajlandë – një udhëtim që Charlotte e kishte ëndërruar. “Do të ishte shumë e habitur që e bëra… por edhe shumë krenare.”

Ajo e quan Charlotte “dielli im” për natyrën e saj të ngrohtë dhe aventuriere.

Duke parë përpara, Tania synon të rrisë ndërgjegjësimin për dhimbjen e humbjes dhe shëndetin mendor. “Një e ve mbetet e ve, pavarësisht nëse je 25 apo 75 vjeç. Të gjithë do të përjetojmë dhimbje humbjeje në një moment – ndaj nëse flasim më shumë për të, do ta kuptojmë që nuk jemi vetëm dhe mund të ndihmojmë njëri-tjetrin.”