FLASH :

Tifozët Kuq e Zi organizojnë mbledhje masive për ndeshjen Shqipëri–Serbi, më 7 qershor në Tiranë

Edhe pse nuk do të jenë të pranishëm fizikisht në stadium më 7 qershor, kur Kombëtarja Shqiptare do të përballet me Serbinë, grupimi “Tifozat Kuq e Zi” nuk do të qëndrojë pasiv. Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, ata kanë ftuar të gjithë tifozët shqiptarë që të mblidhen në Lulishten “Vëllezërit Frashëri”, përballë Piramidës, për të ndjekur ndeshjen në një ekran gjigand të vendosur nga vetë ata.

Sipas njoftimit, grumbullimi do të nisë që në orën 19:00 dhe do të shoqërohet me këngë dhe mbështetje të organizuar për Kombëtaren. “Për ne nuk ka rëndësi prezenca në stadium, por do të jemi aty për Kombin, duke kënduar të gjithë krah njëri-tjetrit,” thuhet në mesazhin e shpërndarë, ku theksohet se prania e tifozëve në çdo formë mbetet jetike për të ndihmuar ekipin në një përballje me shumë peshë simbolike dhe sportive.

Në sfondin e thirrjes shfaqen flamuj kuqezi, simbole kombëtare dhe pankarta me figura historike, që përforcojnë ndjesinë e unitetit dhe qëllimit të përbashkët. Organizatorët shpresojnë që data 7 qershor të shndërrohet në një ditë festimi dhe krenarie, pavarësisht rezultatit në fushë.

Ky tubim i tifozëve në Tiranë pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë jashtë stadiumit, duke treguar edhe një herë rolin aktiv dhe të përkushtuar që “Tifozat Kuq e Zi” kanë në mbështetje të Kombëtares.