FLASH :

Thomas Partey transferohet te Villarreal ndërsa përballet me pesë akuza për përdhunim – Gjykata i jep lirinë me kusht

Ish-mesfushori i Arsenalit, Thomas Partey, është lejuar të transferohet në Spanjë dhe të nënshkruajë me klubin Villarreal, ndërkohë që përballet me pesë akuza për përdhunim dhe një për sulm seksual ndaj tre grave të ndryshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjë.

32-vjeçari, i cili u largua nga Arsenal si lojtar i lirë në fund të muajit qershor, u paraqit këtë të martë në gjykatën e Westminsterit në Londër, ku iu komunikuan akuzat nga Prokuroria e Kurorës (CPS). Ai dyshohet për përdhunimin e një gruaje në shtëpinë e tij në Hertfordshire dhe një tjetër në një resort në Spanjë, ndërsa akuzohet gjithashtu për sulm seksual ndaj një gruaje të tretë, e cila e ka denoncuar se ai e ka prekur pa dëshirë dhe ka tentuar ta puthë.

Gjykata e ka liruar Partey-n me kusht, duke i ndaluar çdo kontakt me viktimat dhe duke kërkuar që të njoftojë autoritetet në rast të çdo udhëtimi jashtë vendit apo ndryshimi të vendbanimit. Ai do të dalë sërish në gjykatë më 2 shtator në Old Bailey për të paraqitur deklaratën mbi fajësinë.

Avokatja e tij deklaroi se Partey i mohon të gjitha akuzat dhe pret të pastrojë emrin pas një hetimi trevjeçar. Ndërkohë, klubi i ri spanjoll Villarreal pritet të finalizojë transferimin e tij si lojtar i lirë.

Lidhur me këtë çështje, grupi “Tifozët e Arsenalit kundër Dhunës Seksuale” protestuan jashtë gjykatës duke kritikuar klubin londinez për heshtjen gjatë hetimeve. Arsenal, nga ana e tij, ka deklaruar se kontrata me lojtarin ka përfunduar më 30 qershor dhe nuk do të komentojë për shkak të procedurave ligjore në vijim.