FLASH :

Thethi në rrëmujë/ Sokoli akuzon shtetin për dështim me pronësinë

Debatet në Këshillin Bashkiak të Shkodrës u përqendruan te aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, me akuza nga opozita për leje të paligjshme dhe pagesa që u janë marrë banorëve. Nënkryetari i bashkisë i mohoi këto, ndërsa kryebashkiaku Benet Beci mungoi sërish në mbledhje.

Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Thethit në kulmin e sezonit turistik, solli debate mes këshilltarëve të opozitës dhe përfaqësuesve të Bashkisë Shkodër në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak. Këshilltarja Eliona Shkreli kërkoi sqarime pse u lejuan ndërtimet dhe akuzoi se banorëve u janë marrë para për pastrimin e mbetjeve, ndërsa këshilltari Imeldi Sokoli e cilësoi dështim të shtetit çështjen e pronësisë në Theth dhe hodhi akuza se janë marrë para edhe për ndërtimet në këtë zonë turistike.

Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, mohoi që banorëve t’u jenë marrë para për pastrimin dhe theksoi se aksioni ishte i domosdoshëm në situatën e krijuar.

Në mbledhje pati kritika edhe për largimin nga teatri të dy aktorëve, ku këshilltarja Glorja Shllaku tha se kjo ishte bërë për arsye politike. Po ashtu, këshilltarja Shkreli kërkoi që kryebashkiaku Benet Beci të paraqitet në mbledhje për të dhënë shpjegime mbi abuzimet me taksat e qytetarëve, ndërkohë që është i pandehur në SPAK.

Ashtu si në mbledhjet e mëparshme edhe këtë herë kryebashkiaku Benet Beci nuk ishte i pranishëm.