Pak ditë pasi inceneratori i Elbasanit shpërtheu në flakë dhe zhveshi përfundimisht mashtrimin më të madh të dekadës në sytë e publikut, në rrjet shpërtheu një tjetër “zjarr”, këtë herë me origjinë në komunikimin politik: Pilinci që “zbarkon në Theth si Trump” dhe shpall qeveri hije me stil hollivudian.
Në pamje të parë, një video e çuditshme e një personazhi me pseudonim Pëllumb Pilinci, i shoqëruar me makina luksoze dhe truproja në një fshat alpin, mund të dukej thjesht si një shaka e rrjeteve sociale. Por në prapaskenë, shumëkush e lexon këtë si një tjetër manovër të mirëmenduar për të larguar vëmendjen publike nga zjarri i vërtetë: ai që përfshiu inceneratorin e Elbasanit — një objekt që duhet të digjte mbetje, por që digjte miliona euro në korrupsion e mashtrime.
Burime mediatike aludojnë se vetë Endri Fuga, strategu kryesor i komunikimit të qeverisë, ka qenë pas përhapjes virale të këtij “spektakli të Thethit”. Me teknika që e kanë karakterizuar për vite, Fuga ka ngritur një tjetër perde tymi për të mbuluar zërat që kërkojnë llogari për djegien e inceneratorit që nuk funksionoi kurrë siç u premtua, por që konsumoi qindra milionë lekë nga taksat e qytetarëve.
Ndërsa opozita kërkon hetim të plotë për zjarret në inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, qeveria duket më e fokusuar në zhvendosjen e narrativës përmes memeve, figurave folklorike si Pilinci dhe imazheve turistike të Thethit. Me sa duket, turizmi dhe tallavaja dixhitale janë kthyer në armët e preferuara të propagandës për të fshehur mbetjet e djegura të një skeme shumëvjeçare abuzimi.