Një incident i rëndë ka ndodhur në fshatin turistik të Thethit, ku 33-vjeçari Alfred Rrupa është arrestuar nga Policia e Shkodrës pasi qëlloi me armë zjarri në drejtim të një automjeti me tre pasagjerë. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme dhe fatmirësisht nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale në automjet.
Sipas njoftimit zyrtar, pas të shtënave me pistoletë, tre pasagjerët e automjetit – 29-vjeçari N. H. (drejtuesi), 27-vjeçari P. H. dhe 29-vjeçari D. Rr. – zbritën nga makina dhe ushtruan dhunë fizike ndaj autorit të dyshuar, i cili u prangos më pas nga efektivët.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit dhe municionin luftarak, ndërsa tre personat e përfshirë në dhunë janë marrë në hetim në gjendje të lirë. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.







