Një grua nga Anglia ka përfunduar me plagë të rënda dhe kocka të thyera pasi bëri një akt heroik për të shpëtuar jetën e mbesës së saj të vogël gjatë një sulmi brutal nga një qen i racës American Bulldog.
Abbie Nudd, 32 vjeç, kishte marrë mbesën e saj Lydia, vetëm 4 vjeçe, për të takuar një qen që po mbahej përkohësisht nga fqinjët e saj në Dovercourt më 2 qershor. Fillimisht, qeni u soll i qetë dhe lejonte që të ledhatohej, por papritur ndryshoi sjellje dhe u bë agresiv.


Duke kuptuar rrezikun, Abbie kërkoi që Lydia të largohej, por qeni e kishte kapur tashmë vogëlushen për krahu.
“Arrita me vështirësi t’i hapja nofullat dhe t’i lironte dorën,” tha ajo për Echo News. Por nuk ndaloi me kaq — ajo u hodh sipër trupit të Lydias si një “batanije njerëzore”, duke marrë mbi vete të gjitha sulmet për ta mbrojtur nga kafshimet e mëtejshme.
Fqinjët u përpoqën kot ta largonin qenin me një shufër lavatriçeje, por pa sukses. Abbie më pas vendosi qëllimisht të lejonte qenin ta kafshonte atë, që të shmangte një tjetër sulm ndaj mbesës.



Si pasojë, ajo mori kafshime në fytyrë, në të dy krahët, në trup dhe në dorë, ku qeni i theu kockën e kyçit. “Ndihesha sikur po më tërhiqte zvarrë nëpër kopsht. E godita disa herë me bërryl për ta larguar,” tha ajo.
Policia dhe ambulanca mbërritën shpejt në vendngjarje. Qeni, që vazhdonte të ishte agresiv, u qetësua vetëm kur u afrua një burrë që e njihte dhe më pas u dërgua në makinë policie.
Të dyja, Abbie dhe Lydia, u shtruan fillimisht në spitalin e Colchester dhe më pas u transferuan në Broomfield, ku iu nënshtruan ndërhyrjeve me anestezi të përgjithshme për të trajtuar plagët.
Lydia u lirua të nesërmen dhe është kthyer pranë familjes së saj, ndërsa Abbie qëndroi në spital deri dje për monitorimin e frakturës dhe plagëve të shumta.
Policia: U arrestua një grua, qeni u sekuestrua
Një zëdhënës i Policisë së Essex-it konfirmoi arrestimin e një gruaje në të 30-at, nga qyteti Harwich, nën dyshimin për mbajtje të një qeni të rrezikshëm jashtë kontrollit. Ngjarja ndodhi më 3 qershor në rrugën Willow Way rreth orës 16:30.
Gruaja është liruar përkohësisht ndërsa hetimet vazhdojnë. Qeni është sekuestruar dhe është vendosur në një qendër të sigurisë.
Policia i kërkoi publikut të mos spekulojë mbi ngjarjen ndërkohë që hetimi është në zhvillim.