FLASH :

Tesla, pse Elon Musk shet më pak makina por në bursë vlen më shumë se të gjithë

Nga Milena Gabanelli dhe Andrea Priante | Corriere della Sera

Le të kthehemi pas në kohë: viti 2003, San Carlos, në zemër të Silicon Valley. Inxhinierët e informatikës Martin Eberhard dhe Marc Tarpenning, të bindur se e ardhmja e transportit është elektrike, themelojnë Teslën. Ata janë “prindërit e vërtetë” të markës që hapi rrugën për alternativën ndaj motorit me djegie të brendshme, por asnjëri prej tyre nuk u bë miliarder. Madje, mbeten pothuajse menjëherë pa para.

Potencialin e saj e nuhat Elon Musk, i cili hyn në lojë në shkurt 2004, kur tashmë është jashtëzakonisht i pasur: nga shitja e PayPal-it për E-Bay ai kishte përfituar 170 milionë dollarë. Me një investim prej 6.5 milionësh, Musk bëhet financuesi kryesor i Teslës dhe merr postin e presidentit. Më 19 qershor 2006, në aeroportin e Santa Monica-s, prezantohet prototipi i parë: Roadster, me mbi 300 kilometra autonomi.

Në atë event – përpara vetëm 350 personave – flet më shumë CEO-ja Eberhard, ndërsa Musk mban një profil të ulët. Në realitet, ai tashmë ka nisur ngjitjen drejt marrjes së kontrollit të plotë të kompanisë: përmes nëntë raundeve financimi, rrit përqindjen e pronësisë duke reduktuar njëkohësisht rëndësinë e pjesëve të Eberhard dhe Tarpenning.

Në vitin 2007 Musk e largon Eberhard-in (me një telefonatë), i cili e padit për përjashtim dhe shpifje, “para se të arrihej një marrëveshje jashtëgjyqësore, kushtet e së cilës nuk janë bërë publike,” rikonstrukton Forbes.

Roadster-i del në treg në vitin 2008 me një çmim bazë prej 108 mijë dollarësh, por kompanisë i kishte kushtuar tashmë 140 milionë – shumë më tepër se 25 milionët e parashikuara. Tesla ishte në prag të falimentimit, por Musk ngul këmbë duke shtuar edhe 40 milionë të tjera nga xhepi i tij dhe duke bindur investitorë të rinj. Kompania shpëton. I duhet vetëm një shtytje finale…

“Shtytja” e shtetit

Në vitin 2010, në krye të SHBA-ve është Barack Obama. Në janar, Departamenti i Energjisë i jep Teslës një hua me interes të ulët prej 465 milionë dollarësh, për zhvillimin dhe prodhimin e Modelit S.

Musk e kthen huanë në vetëm tre vjet, duke falënderuar “veçanërisht taksapaguesin amerikan nga i cili vijnë këto fonde. Shpresoj që t’ju kemi bërë krenarë”.

Nuk ka dyshim se ndihmat publike kanë qenë vendimtare për forcimin e perandorisë së Musk, aq sa Washington Post vlerëson se deri më tani Tesla ka “fituar 11.4 miliardë dollarë nga kreditë rregullatore të dhëna përmes programeve federale dhe shtetërore që synojnë të nxisin industrinë e automjeteve elektrike”.

Këto janë kredi që u jepen kompanive që arrijnë një përqindje të caktuar të automjeteve me zero emisione. Dhe, duke qenë se Tesla prodhon vetëm makina elektrike, ka mjaftueshëm kredite për t’i shitur edhe konkurrentëve që nuk i plotësojnë standardet – dhe kështu shmangin gjobat.

Në vitin 2014, shteti i Nevadës i jep Teslës edhe 1.3 miliardë dollarë në formë kreditësh tatimore, për të ndërtuar atje “gigafactory”-n e baterive me litium. Por tani që një “shtytje” do t’u duhej konkurrentëve, Musk ka ndërruar mendje dhe shprehet kundër çdo forme mbështetjeje për kompanitë.

Çfarë thonë bilancet

Sot Tesla ka seli të re në Austin, Teksas, dhe zhvillon robotë humanoidë, sisteme për ruajtjen e energjisë, panele diellore dhe pritet të provojë taksitë e parë me drejtim autonom.

Me ndihmën e Qendrës së Kërkimeve të Ekonomisë Industriale të Universitetit Bicocca kemi shqyrtuar bilancet: në pesë vitet e fundit, shitjet dhe të ardhurat janë trefishuar, ndërsa fitimi neto është rritur 10 herë.

Që nga hyrja në bursë më 29 qershor 2010, aksionet janë rritur me 40 mijë përqind deri në rekordin e 479 dollarëve në dhjetor 2024, pas rizgjedhjes së Trump.

Krahasuar me Toyota-n, që ka të ardhura trefish më të larta dhe katërfish më shumë fitime, Tesla vlen pesë herë më shumë në treg. “Është një çmim i fryrë – thotë prof. Ugo Arrigo – që reflekton bindjen e shumëkujt se Musk do të arrinte të krijonte një monopol në sektorin e automjeteve elektrike”.

Kështu, në fund të vitit 2024, Tesla arriti një kapitalizim prej 1.350 miliardë dollarësh. Do të duhej gati dy shekuj, me fitimet aktuale prej 7.1 miliardë, për të justifikuar këtë vlerë në treg. Shifra që i afrohen më shumë Google-it apo Facebook-ut sesa rivalëve në industrinë automobilistike.

Por, ndryshe nga gjigandët e teknologjisë, duket se është e pamundur të krijosh një monopol afatgjatë në sektorin e makinave – sado inovative të jenë. Efektet tashmë kanë filluar të shfaqen.

Shitjet bien

Më 22 mars, çmimi i aksioneve bie në 222 dollarë – një rënie prej 53% në tre muaj – dhe Musk (që zotëron 12.8% të Teslës) ka humbur mbi 100 miliardë dollarë nga pasuria personale.

JPMorgan parashikon që në 12 muajt e ardhshëm aksionet do të arrijnë në rreth 120 dollarë, por analistët janë të ndarë për këtë. Në SHBA dhe Europë, tregu i makinave elektrike rritet më pak se pritshmëritë. Por gjithsesi rritet. Ndërsa Tesla përballet me rënien e parë të madhe në shitje: -9% në SHBA, -45% në BE (-37% nëse përfshihen edhe EFTA dhe Mbretëria e Bashkuar), -49% në Kinë.

Në tremujorin e parë të 2025-ës, fitimi bie me 71% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë; të ardhurat bien me 9%, dhe vetëm sektori automobilistik ka rënie në të ardhura prej 20%.

Sondazhi i manipuluar

Nuk ka dyshim se marka Tesla po ndëshkohet nga përfshirja politike e Musk, përshëndetjet naziste dhe deklaratat përçarëse që nxisin fushata urrejtjeje, akte vandalizmi (të ndjekura nga FBI si “terrorizëm i brendshëm”) dhe pronarë që kthejnë makinën.

Në Gjermani, ku në zgjedhjet e fundit Musk mbështeti partinë e ekstremit të djathtë Alternative für Deutschland, shitjet bien me 62%. Në të vetmin fabrikë evropiane të Teslës, në Gruenheide, sindikata e metalpunuesve denoncon kushte të këqija pune: 83% e punonjësve ndihen të tejngarkuar, 91% kanë dhimbje koke, qafe ose shpine, dhe vetëm një në dhjetë mendon se mund ta çojë punën deri në pension.

Më 11 mars, portali T-Online publikon një sondazh: 94% e gjermanëve nuk do të blinin kurrë një Tesla. Kanë marrë pjesë 100 mijë vetë. Një javë më vonë, Musk publikon sondazhin në X (ish-Twitter), ku 70% e votuesve e duan një Tesla. Më pas zbulohet se dikush kishte manipuluar votimin me “bot”-e, duke sjellë 253.000 vota nga vetëm dy adresa IP në SHBA.

Trump në ndihmë

Ndërkohë që muajt e fundit, drejtori financiar i Teslës, Kimbal Musk (vëllai i Elonit dhe anëtar i bordit) dhe drejtues të tjerë kanë shitur aksione për 100 milionë dollarë, Trump përpiqet të qetësojë investitorët: “Mbajini aksionet, sepse e ardhmja do të jetë jashtëzakonisht e ndritshme”.

Qeveria republikane futet në lojë. Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, del në televizion dhe fton publikun të blejë aksione të Teslës.

Më 11 mars, Trump shndërron kopshtin e Shtëpisë së Bardhë në showroom dhe shpall blerjen e një Model S prej 79.900 dollarësh, të cilën në fakt nuk mund ta ngasë, pasi protokollet e sigurisë ndalojnë presidentin të ulet në timon.

Është e nevojshme të kujtojmë se në vitin 2017, kur këshilltarja e tij Kellyanne Conway i ftoi amerikanët të blinin rrobat e Ivanka Trump, mori një paralajmërim nga Zyra Etike e Qeverisë dhe premtoi se nuk do ta përsëriste. Sot askush nuk guxon të kundërshtojë Presidentin.

Tarifat do godasin Teslën?

Tesla, e shpallur për tre vite radhazi si prodhuesi më “amerikan”, monton në SHBA të gjitha automjetet për tregun vendas, duke importuar më pak se 30% të pjesëve, si kabllot e prodhuara në Meksikë.

Për këtë arsye, sipas Deutsche Bank, ndodhet “në një pozicion më të favorshëm” krahasuar me Ford, General Motors, Chevrolet dhe Stellantis, që ka selinë amerikane në Michigan.

Me fjalë të tjera, nëse hyjnë në fuqi tarifat e reja doganore, në tregun vendas më shumë do të penalizohen konkurrentët.