Policia e Vaut të Dejës ka vënë në pranga një 53-vjeçar, i cili u kap në flagrancë pasi dhunoi fizikisht një shtetas dhe tentoi ta godiste me thikë.
Autori, A. G., banues në fshatin Kosmaç, akuzohet gjithashtu se më herët ka dëmtuar pronat e një 63-vjeçari dhe ka kanosur atë e familjarët e tij me sëpatë. Nga kontrolli në banesën e tij, shërbimet e policisë sekuestruan 3 thika dhe 1 sëpatë, të cilat dyshohet se i përdorte për veprimtarinë e tij kriminale.
Sipas kallëzimeve, 53-vjeçari ka goditur një 28-vjeçar me grushte dhe e ka ndjekur për disa minuta me thikë në dorë. Gjithashtu, gjatë muajve prill dhe shtator 2025, ai ka thyer xhamat e furgonit dhe dyqanit të një 63-vjeçari, si dhe ka dëmtuar një automjet tjetër. Vetëm pak ditë më parë, më 23 shtator, ky i fundit e ka konstatuar autorin pranë banesës së tij me një sëpatë në dorë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa 53-vjeçari do të përballet me akuzat për “Kanosje”, “Plagosje të lehtë me dashje” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje të armëve të ftohta”.