FLASH:

Terror në muze: Vriten dy punonjës të ambasadës izraelite në Washington

Një akt tronditës dhune u shënua mbrëmjen e së mërkurës në Uashington D.C., kur një burrë i armatosur që bërtiste “Free Palestine” qëlloi për vdekje dy punonjës të ambasadës izraelite jashtë Muzeut Hebre të Kryeqytetit. Ngjarja po hetohet si një akt terrorizmi antisemit nga Task Forca e Përbashkët për Terrorizmin e FBI-së.

Autori i dyshuar, Elias Rodriguez, 30 vjeç, pasi qëlloi një grup personash pranë muzeut, hyri brenda ndërtesës ku u prit me mirëbesim si i traumatizuar. Ai qëndroi rreth 15 minuta mes të ftuarve në një mbrëmje diplomatike, para se të rrëfente se ishte autor i sulmit dhe të dorëzohej në polici.

Viktimat: një çift izraelit në prag fejese

Dy viktimat ishin një çift të rinj nga Izraeli, punonjës në ambasadë, që sipas ambasadorit izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, do fejoheshin javën tjetër në Jerusalem. Ai deklaroi se “i riu kishte blerë unazën këtë javë” për t’i propozuar së dashurës.

Ngjarja ndodhi gjatë një eventi të organizuar nga Komiteti Hebraik Amerikan (AJC), i cili kishte mbledhur dhjetëra diplomatë të rinj dhe profesionistë hebrenj për të kremtuar trashëgiminë kulturore.

Reagimet: nga Izraeli në SHBA

Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, e cilësoi sulmin si “një akt të neveritshëm terrorizmi antisemit”. Ai shtoi se “sulmi ndaj diplomatëve dhe komunitetit hebre është kalim i vijës së kuqe”.

Presidenti Donald Trump e dënoi ngjarjen si “një akt urrejtjeje dhe radikalizmi” dhe bëri thirrje për fundin e antisemitizmit në SHBA. “Ngjarje të tilla të tmerrshme nuk mund të pranohen. Zoti ju bekoftë të gjithë!”, tha Trump.

Senatori Chuck Schumer dhe Kongresmeni Abe Hamadeh gjithashtu reaguan fuqishëm, duke e konsideruar vrasjen si terrorizëm të pastër dhe antisemitizëm të papranueshëm.

Alarm sigurie për komunitetin hebre

Vetëm një ditë para sulmit, Muzeu Hebre kishte përfituar një grant sigurie për shkak të rritjes së rrezikut. Drejtoresha ekzekutive e muzeut, Beatrice Gurwitz, kishte paralajmëruar për mundësinë e incidenteve për shkak të klimës së rritur të urrejtjes, sidomos pas hapjes së një ekspozite për komunitetin LGBT hebre.

Hetimi në vazhdim

FBI dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare po hetojnë motivet dhe lidhjet e autorit të dyshuar. Autoritetet amerikane kanë premtuar masa të forta ndaj përgjegjësve, ndërsa Izraeli ka bërë të qartë se do të mbrojë qytetarët e tij kudo në botë.