FLASH :

Tërmetet vdekjeprurëse në Turqi, Google pranon se sistemi i paralajmërimit të rrezikut dështoi! 10 milionë njerëz nuk morën asnjë sinjal

Sistemi i paralajmërimit të hershëm për tërmete në pajisjet Android i Google nuk arriti të paralajmërojë miliona njerëz në Turqi gjatë tërmeteve shkatërrimtare të vitit 2023, ku humbën jetën rreth 55,000 persona.

Kompania pranoi se rreth 10 milionë njerëz që jetonin në një rreze prej 150 kilometrash nga epiqendra mund të kishin marrë në celularët dhe tabletët e tyre paralajmërimin më të lartë të mundshëm.

Nëse kjo do të kishte ndodhur, ata do të kishin deri në 35 sekonda kohë për t’u zhvendosur në një vend të sigurt, raportoi BBC.

Në vend të kësaj, Google dërgoi vetëm 469 mesazhe “Take Action” gjatë tërmetit të parë me magnitudë 7.8 Rihter, që përfaqëson nivelin më të lartë të alarmit, i cili shoqërohet me sinjal zanor, edhe nëse pajisja është në modalitetin “i heshtur”.

Ky lloj paralajmërimi mund të kishte qenë veçanërisht efektiv në Turqi. Niveli më i ulët i alarmit quhet “Be Aware”.

Në një publikim shkencor, studiuesit e Google shpjeguan se sistemi nuk arriti të përllogarisë saktë tërmetin e parë. Algoritmi e vlerësoi gabimisht si një lëkundje të moderuar prej vetëm 4.5 deri në 4.9 ballë, në vend të madhësisë reale prej 7.8 ballë.

Sistemi nuk arriti të japë parashikim të saktë as për tërmetin e dytë, që kishte intensitet të ngjashëm me të parin. Në atë rast, paralajmërimet me nivel të lartë arritën në rreth 8,000, ndërsa ato më të ulëta kaluan 4 milionë.

Pas analizave të mëvonshme, studiuesit zbuluan se nëse algoritmi do të kishte funksionuar saktë gjatë tërmetit të parë, do të ishin dërguar 10 milionë paralajmërime të nivelit të lartë dhe miliona të tjera për njerëzit që ndodheshin më larg epiqendrës.

Tërmeti ndodhi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit 2023. Shumë prej viktimave humbën jetën teksa ndërtesat u shembën dhe banorët flinin.

Sistemi Android Earthquake Alerts i Google është i disponueshëm në 100 vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Ai zbulon tërmetet përmes sensorëve të telefonave inteligjentë, vlerëson madhësinë e tyre dhe dërgon njoftime.

Meqenëse valët sizmike lëvizin relativisht ngadalë, krijohet një hapësirë prej disa sekondash për t’u mbrojtur, sekonda që mund të shpëtojnë jetë.