Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 ballë të shkallës Rihter goditi në orët e para të mëngjesit zonën pranë Neapolis, në prefekturën e Lasithit, duke shkaktuar panik mes banorëve në Kretë dhe Athinë. Lëkundjet u ndjenë në të gjithë ishullin dhe deri në rajonin e Atikës, përfshirë kryeqytetin grek.
Banorët janë zgjuar të alarmuar dhe kanë dalë me nxitim nga banesat e tyre. Dëshmitarë okularë kanë përshkruar një gjëmim të fortë që shoqëroi lëkundjen, ndërsa pamjet filmike tregojnë kable elektrike dhe automjete që dridheshin nga forca e tërmetit.
Dëme materiale në supermarkete – pasgoditje të shumta
Në disa dyqane dhe supermarkete janë raportuar produkte të rrëzuara nga raftet, duke shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja për njerëzit. Deri tani janë regjistruar nëntë pasgoditje, me magnitudë nga 2.5 deri në 3.5 ballë.
Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në gjendje patrullimi, ndërsa në disa rrugë periferike janë shfaqur rrëshqitje të lehta dheu. Në Heraklion, një pjesë e një ndërtese në rrugën “25 Gushti” u shemb pjesërisht, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Masat emergjente dhe inspektimet në shkolla
Bashkitë e Heraklionit dhe Lasithit kanë urdhëruar inspektime në institucionet arsimore, megjithëse nuk janë raportuar dëme të rënda. Kryetari i Bashkisë së Heraklionit, Alexis Kalokairinos, është në kontakt të drejtpërdrejtë me autoritetet sizmologjike, përfshirë presidentin e OASP, prof. Efthymis Lekkas.
Apel për qytetarët: Ndiqni udhëzimet zyrtare
Autoritetet janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa qytetarët këshillohen të qëndrojnë të kujdesshëm, të shmangin zonat e rrezikshme dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare të mbrojtjes civile.