FLASH :

Tentoi të vrasë me automjet një person në Durrës, shpallet në kërkim 40-vjeçari

Një 40-vjeçar nga Shijaku është shpallur në kërkim nga policia, pasi dyshohet se ka tentuar të vrasë një 55-vjeçar duke e goditur me automjet.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 24 shtatorit, rreth orës 19:54, në rrugën “Vala e Detit”, Durrës, ku drejtuesi i një automjeti tip “Mercedes-Benz” goditi këmbësorin A. K., alias B. K., 55 vjeç, dhe më pas u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Si pasojë e përplasjes, 55-vjeçari u plagos rëndë dhe u dërgua fillimisht në spitalin e Durrësit, ndërsa më pas u transportua në spitalin e Traumës, Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Nga hetimet e para, policia dyshon se ngjarja është një tentativë për vrasje. Pas verifikimeve rezultoi se drejtuesi i automjetit ishte shtetasi A. B., 40 vjeç, lindur dhe banues në Shijak, i cili aktualisht është shpallur në kërkim së bashku me automjetin e tij.

Njoftimii policisë:

Goditi me automjet një 55-vjeçar duke e plagosur rëndë dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Pas veprimeve intensive hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim drejtuesi i automjetit.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 40-vjeçari ka tentuar të vrasë me automjet 55-vjeçarin.

Vijojnë kërkimet për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e 40-vjeçarit, si dhe për gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit me të cilin goditi rëndë 55-vjeçarin.

Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:54, në rrugën “Vala e Detit”, Durrës, një automjet i paidentifikuar goditi këmbësorin, shtetasin A. K., alias B. K., 55 vjeç, banues në Durrës.

Drejtuesi i automjetit, pasi goditi 55-vjeçarin, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, së bashku me automjetin.

Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë Rrugore kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Specialistët e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me grupin hetimor dhe Specialistët e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, intensifikuan veprimet për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e drejtuesit të automjetit.

Si rezultat i veprimeve intensive, rezultoi se automjeti tip “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit A. B., 40 vjeç, lindur dhe banues në Shijak, ka goditur 55-vjeçarin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Shërbimet e Policisë, pas kontrolleve të ushtruara, kanë shpallur në kërkim shtetasin A. B., së bashku me automjetin.

Shtetasi A. K., alias B. K., është transportuar në spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë më të specializuar dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, për shkak të plagëve të marra.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë.