Një 22-vjeçar nga Berati është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, pasi tentoi të kalonte në mënyrë të paligjshme një vajzë 14-vjeçare drejt Kosovës. Në pranga ka përfunduar edhe një 18-vjeçar, pasagjer në automjet, për moskallëzim të krimit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, mjeti me të cilin po udhëtonin E. G., 22 vjeç, A. K., 18 vjeç, dhe e mitura, u ndalua në dalje të territorit të Shqipërisë, gjatë një kontrolli rutinë të shërbimeve të Policisë Kufitare në Morinë, bazuar në analizën e riskut dhe informacionet operative.
Gjatë verifikimeve rezultoi se vajza 14-vjeçare ishte larguar nga banesa ditë më parë dhe për këtë rast, më datë 28 shtator 2025, familjarët kishin bërë kallëzim në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Pas hetimeve paraprake, u krijua dyshimi se E. G. po tentonte trafikimin e të miturës drejt Kosovës, ndërsa A. K., i cili ishte i pranishëm në automjet, nuk kishte kallëzuar krimin, çka përbën vepër penale.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë tentativë trafikimi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.