FLASH :

Tentoi të korruptojë efektivin e Rrugores për të shmangur gjobën, arrestohet 20-vjeçari në Durrës

Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë një 20-vjeçar me inicialet K.G., pasi u kap duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi dhe tentoi të korruptonte një efektiv të Policisë Rrugore për të shmangur gjobën.

Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 13, gjatë një kontrolli rutinë të qarkullimit. I riu i ndaluar, në përpjekje për të mos u ndëshkuar, i ofroi para efektivit, por përfundoi menjëherë në pranga. Ai akuzohet për veprën penale të korrupsionit aktiv ndaj punonjësit të policisë.

Njoftimi i Policisë së Durrësit

Tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore që e konstatoi duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi, arrestohet në flagrancë 20-vjeçari.             

Gjatë monitorimit të akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë në rrugë, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrës kanë ndaluar në lagjen nr. 13, Durrës, drejtuesin e një motomjeti. Në momentin e ndalimit, ai i ka ofruar para punonjësve të Policisë, për të shmangur ndëshkimin ligjor, pasi nuk ishte i pajisur me leje drejtimi.     

Në vijim të veprimeve, drejtuesi i motomjetit, shtetasi K. G., 20 vjeç, banues në Durrës, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.       

Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm nga shërbimet e Policisë.