Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Smartphone”, duke goditur një rast të kontrabandës së mallrave në hyrje të territorit shqiptar.
Gjatë këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi S. I., 53 vjeç, banues në Kosovë, i cili tentoi të fuste në mënyrë të paligjshme 49 celularë të markës iPhone, të fshehur në kabinën e kamionit që drejtonte.
Celularët nuk kishin fatura blerjeje dhe dyshohet se ishin pjesë e një skeme kontrabande për të shmangur detyrimet doganore. Policia sekuestroi gjithashtu kamionin dhe 2 aparate celularë që përdorte i arrestuari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për hetime të mëtejshme.
Policia Kufitare njofton se kontrollet në pikat kufitare do të vijojnë me intensitet të lartë, me qëllim goditjen e çdo tentative për paligjshmëri.