Një tjetër përplasje mes “peshkaqenëve” të teknologjisë në Shqipëri ka shpërthyer në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku në qendër janë dy tenderë me vlerë të përbashkët rreth 5 milionë euro. Kompania Advanced Business Solutions (ABS), e drejtuar nga Gerond Meçe, ka depozituar ankim në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), duke kundërshtuar procedurat e ndjekura për këto kontrata publike dhe duke kërkuar ndërhyrje për transparencë dhe rivlerësim.
Tenderi i parë ka të bëjë me përmirësimin dhe integrimin e sistemeve të menaxhimit të ndihmës ekonomike, personave me aftësi të kufizuara dhe shërbimeve sociale, me një fond limit prej 2.3 milionë euro pa TVSH. Ndërsa tenderi i dytë synon ngritjen e një sistemi të centralizuar për biletimin online të muzeve dhe siteve të trashëgimisë kulturore, me një vlerë rreth 2.2 milionë euro. Në të dy rastet, procedurat nuk kanë kaluar pa debat, duke përfunduar në duart e KPP-së.
Nuk është hera e parë që ABS përplaset me operatorët konkurrues për kontratat shtetërore. Më herët, kompania kishte kundërshtuar rezultatin e tenderit prej 10 milionë eurosh për ngritjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, ku fitues dolën Soft & Solution e Ermal Beqirit në bashkëpunim me KREATX të Panajot Gjiknurit, duke lënë jashtë ofertën më të ulët të ABS dhe Data Log. Edhe atëherë, Gerond Meçe kërkoi shfuqizimin e vendimit dhe një seancë dëgjimore për të kuptuar arsyet e skualifikimit të ofertës së tij.
Të dhënat nga OpenSpendingAlbania zbulojnë përmasat e këtij rivaliteti shumëvjeçar: gjatë pesë viteve të fundit, ABS ka përfituar rreth 48 milionë euro nga thesari i shtetit, ndërsa Soft & Solution figuron me rreth 24 milionë euro. Ky dominim i dyshes Meçe–Beqiri në tenderët publikë të AKSHI-t po kthehet në një garë për pushtet dhe ndikim, ku çdo procedurë tenderuese ndjek rrugën e tensioneve dhe ankimimeve.
Në pritje të vendimit të KPP-së për rastet e fundit, mbetet e paqartë nëse kjo përplasje do të sjellë ndryshime konkrete në mënyrën si administrohen tenderët shtetërorë në sektorin e teknologjisë – apo nëse “lufta e elefantëve” do të vijojë pa fitues të qartë, përveç kontratave shumëmilionëshe që vazhdojnë të shpërndahen mes të njëjtëve emra.











