FLASH :

Temperaturat deri në 40°C, Agjencia e Mbrojtjes Civile apel qytetarëve: Kujdes i shtuar, shmangni orët e pikut!

Në ditët në vijim pritet një rritje ekstreme e temperaturave në vend, me vlerat që do të shkojnë deri në 40°C, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shpërthimin e zjarreve në pyje dhe zona rurale. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), bazuar në parashikimet e IGJEO dhe Qendrës Evropiane për Koordinimin e Emergjencave (ERCC), ka dalë me një apel urgjent për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar.

Në deklaratën zyrtare theksohet se grupe të caktuara si të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore janë më të rrezikuar nga valët e të nxehtit. Institucioni rekomandon shmangien e qëndrimit në diell gjatë orëve të pikut dhe ndalon rreptësisht përdorimin e zjarrit në ambiente të hapura për të parandaluar përhapjen e flakëve. Sipas sinoptikanes Anira Gjoni për Report TV, temperaturat pritet të arrijnë deri në 39 gradë ditën e shtunë. Autoritetet paralajmërojnë se do të mbikëqyrin nga afër situatën dhe i bëjnë thirrje qytetarëve që të jenë bashkëpunues dhe të raportojnë çdo rast zjarri apo rreziku në numrat emergjentë.

‘Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, bazuar në parashikimet e IGJEO dhe ERCC paralajmëron se në ditët në vijim temperaturat do të arrijnë deri në 40°C, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zjarre në pyje dhe zona rurale. U bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore. Shmangni qëndrimin në diell gjatë orëve të nxehta dhe tregoni kujdes me përdorimin e zjarrit në ambiente të hapura’, thuhet në njoftim.