Një burrë 42-vjeçar në Teksas është akuzuar për vrasje pasi dyshohet se qëlloi për vdekje një djalë 11-vjeçar që po luante lojën e njohur si “ding dong ditch” – ku fëmijët trokasin në derë dhe ikin me vrap.
Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje, rreth orës 23:00 me orën lokale në qytetin Houston. Sipas Policisë, viktima Julian Guzman kishte trokitur në derën e shtëpisë së Gonzalo Leon Jr, i cili më pas ka dalë jashtë dhe ka qëlluar me armë drejt fëmijëve që po largoheshin me vrap.
Një dëshmitar tha se “dikush doli nga shtëpia dhe filloi të qëllonte ndaj fëmijëve që po vraponin nëpër rrugë”, deklaroi hetuesi Michael Cass nga Policia e Houston-it për mediat lokale.
Julian Guzman u qëllua në shpinë dhe ndërroi jetë në spital të dielën.
Autori i dyshuar, Gonzalo Leon Jr, u arrestua të martën dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në burgun e Qarkut Harris.
Hetuesit thanë se ngjarja nuk duket të jetë rast vetëmbrojtjeje.
Raste të ngjashme me këtë lojë janë raportuar edhe më parë në SHBA, ku prindër të shqetësuar apo banorë kanë reaguar dhunshëm. Në një rast në Virxhinia, një burrë u akuzua për vrasje pasi qëlloi një adoleshent që po bënte një video për TikTok. Në Californi, një tjetër burrë u dënua për vrasjen e tre adoleshentëve pasi i përplasi me makinë pasi i kishin trokitur derës.