FLASH :

Teherani në flakë, goditen depot e naftës! Irani sulmon bazat e furnizimit me karburant të avionëve në Izrael, 8 të vrarë e 200 të plagosur (FOTO)

Izrael dhe Irani kryen sulme ndaj njëri-tjetrit. 100 raketa iraniane u lëshuan drejt Jerusalemit dhe Haifas, IDF dha alarmin dhe u përgjigj me sulme ajrore me avionë. Izraeli godet Ministrinë e Mbrojtjes Iraniane. Netanyahu mbledh kabinetin e sigurisë. 8 të vrarë dhe 200 të plagosur në Izrael. 

Të paktën 8 persona janë vrarë dhe 200 të tjerë janë plagosur pasi Irani lëshoi gjatë natës 100 raketa ndaj Izraelit në shenjë hakmarrjeje pas sulmeve të këtij të fundit drejt objektivave ushtarake dhe bërthamore. Objektivi kryesor ishin Jerusalemi dhe Haifa. 8 persona, mes tyre një 10-vjeçar, mbetën të vrarë ndërsa 200 të tjerë u plagosën në Izraelin qendror dhe Jerusalem.

Ministria e Naftës e Teheranit tha se Depoja e Naftës Shahran dhe një rezervuar karburanti në Teheran janë goditur, ndërsa pamjet në rrjetet sociale treguan momentin e shpërthimit në flakë. Po ashtu, agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim” raportoi një sulm izraelit ndaj selisë së Ministrisë së Mbrojtjes në Iran.

Teherani u hakmor dhe pretendon se ka goditur strukturat e furnizimit të avionëve luftarakë izraelitë. Në një deklaratë zyrtare, Garda e Revolucionit Islamik bëjnë me dije se raketat iraniane kanë shënjestruar impiantet për prodhimin e karburantit të avionëve izraelitë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, thirri me urgjencë Këshillin e Sigurisë, për mbledhje në bunkerin nëntokësor. Autoritetetet izraelite dhanë alarmin tek qytetarët dhe IDF sugjeroi që të kalonin të gjithë në strehimoret e sigurta. Gjithashtu ka njoftuar se pjesa më e madhe e raketave u interceptuan nga mbrojtja dhe u eliminuan në ajër, pa goditur shënjestrat. 

Tel Avivi nuk mbeti pas, duke njoftuar se po vijon një valë sulmesh ajrore me avionë ndaj Teheranit, kryesisht bazat nukleare, të rekatave dhe ato të pasurimit të uraniumit. Gjithashtu nisi një sulm edhe ndaj Jemenit me bombardime, ku shënjestër ishte Shefi i Shtabit të forcave Houthi, Mohammed Abdul Karim al-Ghamari. Ende nuk është e qartë nëse ai u godit dhe kush ishte me të në kohën e sulmit.

Më herët, Izraeli bombardoi edhe një bazë nëntokësore raketash të rëndësishme të Ajatollahut, ndërsa sulmoi me dronë edhe impiantin e nxjerrjes së gazit South Pars, në provincën jugore të Bushehrit në Iran. South Pars është fusha më e madhe e gazit në botë, e cila ndodhet në Gjirin Persik, mes Iranit dhe Katarit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu thotë se Izraeli do të sulmojë “çdo vendndodhje dhe çdo objektiv” të Iranit, ndërsa Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka kërcënuar me një përgjigje “më të ashpër” nëse Izraeli vazhdon sulmet e tij.

Sulmet vijnë ndërsa Uashingtoni dhe Teherani pritej të rifillonin bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit të dielën por tani, bisedimet janë anuluar, sipas ndërmjetësit Oman.

Gjatë natës Izraeli sulmoi edhe rezidencën e udhëheqësit suprem të Iranit, Khameneit. 2 komandantë të rangut të lartë ushtarakë u vranë nga bombardimet e reja, duke goditur edhe më tej zinxhirin e komandës së lartë ushtarake, me mbi 20 komandantë të vrarë.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit njoftoi se në fillim të Operacionit janë eliminuar 9 shkencëtarë dhe disa ekspertë të nivelit të lartë që kishin avancuar programin e armëve bërthamore të regjimit iranian.