FLASH :

“Të turpëruara dhe të nëpërkëmbura”: Gratë në Gaza vuajnë mungesën e higjienës mes bllokadës izraelite

Gratë në Rripin e Gazës po përballen me një krizë të thellë higjienike, që i ka lënë të ndihen të “turpëruara” dhe “të nëpërkëmbura”, teksa mungesa e furnizimeve bazë po godet rëndë dinjitetin e tyre.

Bllokada izraelite ndaj ndihmave ka ndërprerë furnizimet me produkte esenciale për higjienën femërore si pecetat sanitare, tamponët dhe sapunët, ndërkohë që uji i pastër është pothuajse i paarritshëm në shumicën e zonave të rrethuara.

Një nga dëshmitë më tronditëse vjen nga Ghadeer Nassar, një nënë e gjashtë fëmijëve, e cila i rrëfeu CNN se është detyruar të presë copa prej rrobave të vjetra për të bërë peceta të improvizuara për vajzën e saj adoleshente.

“Ndihesh e padenjë… është e dhimbshme të mos kesh mundësi t’i ofrosh vajzës tënde as gjërat më bazë për trupin e saj,” tha ajo mes lotëve.

Mungesa e aksesit në mjete higjienike jo vetëm që po rrezikon shëndetin e grave dhe vajzave në Gaza, por po i ekspozon edhe ndaj infeksioneve dhe traumave psikologjike, për shkak të kushteve çnjerëzore që janë kthyer në përditshmëri.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë dënuar ashpër izolimin total të Gazës, duke e cilësuar si një dënim kolektiv që godet më së shumti gratë dhe fëmijët.

Ndërkohë që kriza humanitare përkeqësohet, bllokada izraelite ka ndaluar edhe konvojet me ndihma që përmbajnë produkte higjienike për gratë, duke kthyer nevojat më të thjeshta në një betejë të përditshme për dinjitet dhe mbijetesë.