Një ngjarje tronditëse ndodhi pasditen e së hënës në mes të New York City, kur një person i armatosur me një pushkë sulmi M4 vrau katër persona, përfshirë një oficer të NYPD, dhe më pas i dha fund jetës duke u vetëvrarë.
Ngjarja ndodhi në një godinë zyrash në 365 Park Avenue, që strehon mes të tjerash kompaninë e njohur të menaxhimit të aseteve Blackstone dhe ligën NFL. Agresori u identifikua si Shane Tamura, 27 vjeç, ish-roje sigurie në një kazino në Las Vegas, i cili kishte udhëtuar për ditë të tëra nga Nevada drejt bregut lindor, përpara se të kryente sulmin.
Sipas autoriteteve, Tamura hyri në ndërtesë rreth orës 18:30, i veshur me xhaketë sportive dhe këmishë, ndërsa mbante hapur armën me silenciator, teleskop dhe rrip. Ai qëlloi për vdekje oficerin Didarul Islam, 36 vjeç, emigrant nga Bangladeshi, i cili po punonte si roje sigurie jashtë orarit zyrtar. Oficeri ishte baba i dy fëmijëve dhe bashkëshortja e tij është në pritje të fëmijës së tretë.
Pas vrasjes në holl, Tamura shkoi në ashensor dhe qëlloi një tjetër roje sigurie dhe një person tjetër në holl. Më pas u ngjit në katin e 33-të, ku vrau një person tjetër dhe më pas kreu vetëvrasje në korridorin e ndërtesës.
Policia e NYPD dhe agjentët shtetërorë u përgjigjën me forca të shumta. Zona mes East 52nd Street dhe Park Avenue u izolua, ndërsa dhjetëra të punësuar në ndërtesë u mbyllën nëpër zyra duke u përpjekur të shmangnin agresorin.
Sipas Komisioneres së NYPD, Jessica Tisch, Tamura ishte një person me histori problemesh mendore. Në makinën e tij u gjetën një valixhe me armë, revolverë, karikatorë dhe municion. Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar motivin e ngjarjes, por po hetojnë mundësinë që Tamura të kishte në shënjestër zyrat e NFL.
Ngjarja rikthen në vëmendje urgjencën për masa të reja kundër dhunës me armë në SHBA, ku vetëm këtë vit janë regjistruar mbi 250 sulme masive. Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, e quajti sulmin “një akt të së keqes së pastër që goditi në zemër të qytetit tonë” dhe u shpreh me “dhimbje të thellë” për humbjen e oficerit Islam.








