Një konflikt i dhunshëm mes disa personave ka ndodhur në zonën e Institutit në Tiranë, ku janë regjistruar të shtëna me armë zjarri në ajër. Policia ka arrestuar në flagrancë Ylber Canin (30 vjeç) dhe ka shpallur në kërkim katër persona të tjerë, mes tyre vëllezërit Sidrit (22) dhe Evis Rrushi (25). Dy persona të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë.
Sipas hetimeve, vëllezërit Rrushi kanë goditur me qytën e pistoletës Ylber Canin dhe vëllain e tij O.C., si dhe kanë qëlluar në drejtim të tyre, por pa i lënduar. Ata dyshohet se janë ndihmuar nga shokët e tyre, të cilët kanë sulmuar me sende të forta shtetasin A.C. (38 vjeç) dhe kanë kanosur me armë zjarri A.H. (48 vjeç), kushërinj të viktimave.
Policia ka sekuestruar një pistoletë, municion luftarak dhe 3 automjete gjatë kontrolleve. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.