“Të gjithë duan që unë të jem i keq …”, Javier Bardem në skuderinë e F1

Në një fundjavë korriku, kur Max Verstappen pritet të marrë një tjetër fitore në rrugën e tij drejt Kampionatit të F1, diçka e pazakontë tërhoqi vëmendjen në ngjarjen më të madhe sportive të garave me makina. Pak minuta para fillimit të garës, dy makina të zeza hyjnë me shpejtësi dhe ndalen në fund të pistës. Nga altoparlantët dëgjohet kënga “We Will Rock You”. Brad Pitt dhe Damson Idris, të veshur si pilotë garash, ecin për të takuar Javier Bardem. Janë disa momente xhirimesh para se makinat të nxitojnë të kthehen në bokse dhe për t’i hapur rrugë garës së vërtetë. Seti i xhirimit zhduket po aq shpejt sa u shfaq. Dhe e gjithë kjo në ditën e parë të xhirimit të F1 me Bardem-in.  

Në filmin me regji nga Joseph Kosinski, aktori Javier Bardem luan rolin e një piloti të kthyer në pronar ekipi, por me shumë telashe. Pas dy sezonesh pa shënuar asnjë pikë, personazhi i tij, Rubén, do të detyrohet të shesë skuderinë, nëse nuk përmirësohet para fundit të sezonit. I dëshpëruar, ai rekruton ish-shokun e tij të skuadrës Sonny (Brad Pitt), një pilot me përvojë, i cili do të përballet me Joshua-n, një pilot fillestar, i luajtur nga Damson Idris.  

Ky film i suksesshëm rreth sportit më të madh motorik në botë, mund të jetë një nga xhirimet më të hulumtuara në kujtesën e kohëve të fundit. Portretizimi i Ruben-it nga Bardem arrin një ekuilibër serioziteti dhe entuziazmi që të bën të besosh se plani i tij për të pushtuar F1 me një ish-pilot, është aq i çmendur sa mund të funksionojë. Kur ai nënshkroi kontratën, nuk ishte tifoz i Formula 1, por gjithçka ndryshoi. “Nuk është se nuk më pëlqen, unë mezi di të ngas një makinë”, thotë ai duke qeshur. Për t’u njohur me këtë sport, ai kreu ritin që çdo tifoz fillestar bën, duke shijuar më parë Drive to Survive, serialin dokumentar të Netflix, pas publikimit në vitin 2019, që katapultoi pistën e Formula 1 në një orbitë të re fame. Kur Bardem takoi të gjithë drejtuesit e ekipit – përfshirë Toto Wolff të Mercedes dhe Christian Horner të Red Bull – ai mbeti i mahnitur. “Pata mundësinë të flisja me të gjithë këta yje të mëdhenj të filmit, sepse janë si yje filmi”, thotë ai. Pilotët e F1 janë mësuar me kamerat e drejtuara në fytyrë, të cilat filmojnë gjatë garave të vërteta. Bardem kujton se propozimi për këtë film erdhi nga regjisori, por në fakt një figurë e cila ndihmoi ishte Lewis Hamilton, i cili ishte edhe producent ekzekutiv. “Fakti që Hamilton ishte kaq i përfshirë, i bëri pilotët të ndiheshin më rehat. Dy muajt e fundit të xhirimeve, veçanërisht në Abu Dhabi, të gjithë ishin të pasionuar pas tij, sepse ai njeh çdo skutë të profesionit të tij”, thotë aktori. Por kasti brilant i aktorëve është një tjetër pikë e fortë e filmit, mes tyre Pitt dhe Bardem. “Nga momenti që nisën xhirimet u njoha me menaxherët e ekipeve, njerëz me shumë pushtet dhe shumë para, që ushtrojnë kaq shumë kontroll mbi gjërat, por e humbasin kontrollin shpesh nga nervat, teksa makinat e tyre fluturojnë në pistë. Aty e kupton adrenalinën e vërtetë të garës, por edhe përfshirjen emocionale, apo kur i sheh sesi bërtasin, qajnë apo qeshin nga fitorja”. Nuk e fsheh se ky film është një mrekulli e kinemasë së mirë, sepse sjell gjithë dimensionin e një sporti kaq real.  

Aktori ka zënë një vend të veçantë në historinë e kinematografisë, sidomos që kur bëri kalimin nga kinemaja spanjolle drejt Hollywood-it, dy dekada më parë. Ai shpesh ka mishëruar shumë personazhe famëkeq, aq sa vetëm prania e tij në një film të bën të dyshosh se diçka katastrofike do të ndodhë. Por së fundmi, Bardem duket se po argëtohet duke e përmbysur atë reputacion si një horr i ftohtë.

“Të gjithë duan që unë të jem i keq gjatë gjithë kohës”, psherëtin ai me zërin e tij prej baritoni dhe paksa të çjerrë. “Gjithë kjo rrudhje vetullash po më plak, më besoni!”.

Kohët e fundit, ai ka gjetur një ekuilibër më të shëndetshëm në karrierën e tij. Bardem, 56 vjeç, ka qenë prej kohësh i vetëdijshëm se mund ta përdorë famën e tij për të adresuar çështjet politike që i shqetësojnë. Disa vjet më parë, ai dhe vëllai i tij Carlos udhëtuan për në Antarktidë, jetuan me pinguinët, eksploruan shtratin e detit në një nëndetëse dhe e shndërruan ekspeditën në një dokumentar rreth ambientalizmit. Nga ana tjetër, ai dhe bashkëshortja, aktorja Penelope Cruz, duket se po jetojnë kohën më të mirë me dy fëmijët e tyre, Leo dhe Luna. “Unë dhe Penelope ndihemi rehat me njëri-tjetrin. Ne e ndihmojmë njëri-tjetrin në punën tonë, pavarësisht sesa larg mund të jemi. Kur dita mbaron, kemi diçka shumë më të rëndësishme për të bërë sesa çdo film: të jemi baba dhe nënë”, thekson aktori.

Çifti u takua në sheshxhirimin e filmit “Jamón, Jamón” në vitin 1992 dhe 15 vjet më vonë në xhirimet e filmit “Vicky Cristina Barcelona”, kimia mes tyre ishte e dukshme. Pasi zyrtarizuan lidhjen e tyre, bashkëpunimet e tyre u bënë edhe më të shpeshta. Ata realizuan filma si “The Counselor”, “Loving Pablo” dhe “Todos lo sabes”. Por, ndryshe nga shumë çifte të njohura, ata nuk janë ndarë, përkundrazi, raporti i tyre ka qenë gjithnjë i shëndetshëm.