Shaun Rigby, një burrë 37-vjeçar që ka humbur njërën këmbë, ka deklaruar se i janë ndërprerë përfitimet e aftësisë së kufizuar pasi hetues të qeverisë e filmuan fshehurazi duke luajtur kriket me ekipin e tij lokal.
Sipas tij, Departamenti për Punë dhe Pensione (DWP) e ndoqi për disa javë dhe më pas përdori pamjet e marra fshehurazi si provë se ai “nuk ishte mjaftueshëm i paaftë”. Për pasojë, iu hoq pagesa e PIP (pagesa për pavarësi personale) si dhe makina e marrë me qira për të lehtësuar lëvizshmërinë e tij.

Por Rigby, një ish-përfaqësues i ekipit anglez të kriketit për persona me aftësi të kufizuara, shpjegoi se mund të luajë vetëm me ndihmën e një vrapuesi dhe një arbitri që i mban patericën. “Fakti që luaj kriket nuk do të thotë që më është rritur këmba përsëri”, tha ai. “A nuk kanë të drejtë personat me aftësi të kufizuara të merren me sport?”
Rigby humbi këmbën në një aksident me traktor në moshën 2-vjeçare dhe ka marrë përfitime që nga viti 2016, si dhe një makinë me Motability që para tre vitesh. Megjithatë, më 16 qershor, ai mori një letër që thoshte se “nuk kishte qenë kurrë i përshtatshëm për përfitim” dhe se qeveria kërkon të rikuperojë pagesat e mëparshme.

Ai tani ka humbur rreth 500 £ në muaj, pasi i janë hequr pagesat për jetesën e përditshme dhe lëvizshmërinë. Rigby thotë se ndihet i fyer dhe i trajtuar si mashtrues, pavarësisht se ka qenë gjithmonë transparent për pjesëmarrjen e tij në kriket.
“Gjatë rivlerësimit në 2016, përfaqësuesi më tha se do ta merrja përfitimin gjithë jetën, sepse këmba ime nuk do të rritej kurrë përsëri”, kujton ai. Rigby merr medikamente për dhimbjet ditë për ditë dhe shton dozën gjatë ditëve kur luan kriket.

Përpos dhimbjeve, ai thotë se sporti e ndihmon emocionalisht dhe shoqërisht. “Më kanë gjykuar për 1% të kohës kur bëj përpjekje për të dalë, por nuk shohin 99% të ditëve kur vuaj në shtëpi”, tha ai.
DWP nuk komentoi rastin, por një zëdhënës u shpreh: “Kushdo që nuk është dakord me një vendim mbi kthimin e pagesave, mund të kërkojë një rishqyrtim të detyrueshëm ose të bëjë apel.”

Rigby thotë se është i lodhur nga kjo betejë dhe se ndjehet në fund të fuqive. Ai u thirr edhe në Jobcentre për t’u marrë në pyetje “nën paralajmërim”, sikur të ishte kriminel. “Më ndjekën për tre javë dhe më filmuan duke luajtur kriket”, tha ai i shokuar. “Ata po më quajnë gënjeshtar.”








