FLASH :

“Tauli” largohet mes lotësh: Taulant Xhaka i jep fund karrierës me Basel pas 407 ndeshjesh – Graniti paralajmëron rikthimin!

Taulant Xhaka, kapiteni legjendar i FC Basel dhe ish-mesfushori i kombëtares shqiptare, ka zhvilluar ndeshjen e tij të fundit në moshën 34-vjeçare, duke “varur këpucët në gozhdë” mes një ceremonie prekëse në “St. Jakob-Park”. Simbolika ishte e plotë: numri i fanellës dhe minutat në fushë – 34.

Tifozëria e Basel e përshëndeti me koreografi dhe ovacione emocionuese, ndërsa shokët e ekipit formuan një roje nderi për futbollistin që i ka qëndruar besnik klubit për më shumë se dy dekada.

“Dhashë gjithçka për këtë fanellë. Jam krenar për çdo moment”, tha Xhaka përpara publikut, mes lotëve.

Në sfond, vëllai i tij Granit Xhaka ndezi atmosferën me një deklaratë që mund të ndryshojë të ardhmen e klubit:
“Njëri Xhaka po largohet, por tjetri do të kthehet!” – një sinjal i qartë për një rikthim të mundshëm të yllit të kombëtares zvicerane.

Me 7 tituj kampion dhe 4 Kupa të Zvicrës (dhe mundësinë për të pestën të dielën), Taulant Xhaka mbyll një karrierë të artë me 407 paraqitje për Baselin – një rekord që e bën figurë të pavdekshme në historinë e klubit.

Drejtori sportiv i FCB-së, Daniel Stucki, e përshkroi më së miri trashëgiminë e tij:
“Ai ka ADN të kuqe dhe blu – një identitet që të tjerët do ta ndjekin.”

E ardhmja mund të sjellë një tjetër Xhaka në fushë. Por për sot, është dita e Taulantit.