Uashington, 23 Prill 2025 – Politikat tregtare të Presidentit amerikan Donald Trump po trondisin ekonominë globale. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka publikuar një raport tronditës në prag të takimeve pranverore në Uashington, duke ulur ndjeshëm parashikimet për rritjen ekonomike në mbarë botën – dhe sidomos për Shtetet e Bashkuara.
FMN ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të SHBA-ve në vitin 2025 nga 2.7% në vetëm 1.8% – ulja më e madhe mes të gjitha ekonomive të zhvilluara. Arsyeja kryesore? Rritja e paprecedentë e tarifave doganore dhe pasiguria e thellë që kanë shkaktuar për tregtinë ndërkombëtare.
“Ekonomia globale ende mban plagët e katër viteve të fundit dhe tani po vihet në provë sërish,” deklaroi kryeekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas. Ai paralajmëroi për një “ngadalësim të ndjeshëm”, me rritjen globale të parashikuar në vetëm 2.8% këtë vit – në rënie nga 3.3% në janar.
Ndërkohë, ekonomia britanike pritet të rritet me 1.1% – më shumë se Gjermania, Franca apo Italia – por inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar do të jetë më i larti mes vendeve të zhvilluara: 3.1%, për shkak të kostove të larta të energjisë dhe ujit.

Trump luan me zjarrin tregtar
Presidenti Trump ka rritur ndjeshëm tarifat ndaj Kinës – deri në 145% – ndërkohë që Pekini ka reaguar me kundërmasa deri në 125%. Madje, SHBA-të kanë aplikuar tarifa prej 10% ndaj pjesës më të madhe të vendeve të tjera, ndërkohë që vetëm përkohësisht kanë pezulluar norma më të larta për disa shtete.
Sipas FMN-së, pasiguria rreth këtyre politikave po i bën kompanitë të tërhiqen nga investimet dhe të ndërpresin blerjet, duke frenuar konsumin dhe zhvillimin ekonomik. “Reagimi i parë i shumë bizneseve është pezullimi i investimeve,” tha Gourinchas.
FMN ka rritur gjithashtu mundësinë e një recesioni në SHBA këtë vit në 40%, nga 25% në tetor. Instituti Ndërkombëtar i Financave gjithashtu parashikon një “recesion të lehtë” në SHBA në tremujorët e fundit të 2025-ës.
Europa e dobët, Spanja përjashtim
Në eurozonë, rritja ekonomike pritet të jetë vetëm 0.8% këtë vit, ndërsa për vitin 2026 parashikohet një rimëkëmbje e lehtë në 1.2%. Spanja është e vetmja ekonomi e zhvilluar që ka përfituar një rritje në parashikim – nga 2.3% në 2.5% – falë investimeve për rindërtimin pas përmbytjeve.
Ndërkohë, Meksika ka marrë goditjen më të rëndë me një parashikim negativ prej -0.3% për vitin 2025, nga +1.4% që ishte në janar.