Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka komentuar nga Pogradeci incidentin e ndodhur në Kumanovë gjatë ndeshjes së basketbollit Maqedonia e Veriut–Rumania, ku tifozë maqedonas ofenduan rëndë shqiptarët.
“Ishte një ngjarje skandaloze, e cila është komentuar nga të gjithë politikanët në Maqedoninë e Veriut, si nga partitë shqiptare, ashtu edhe nga disa maqedonase,” u shpreh Taravari. Ai falënderoi Shqipërinë dhe Kosovën për solidarizimin dhe reagimin ndaj kësaj ngjarjeje që, sipas tij, është pasojë e një trendi në rritje të nacionalizmit maqedonas.
Taravari theksoi se kjo ishte edhe një nga arsyet kryesore që çoi në largimin e Aleancës për Shqiptarët nga qeveria para tre muajsh, duke theksuar se tashmë partia ndodhet në opozitë dhe është duke u përgatitur për zgjedhjet lokale.
“Disa ditë para incidentit, vetë kryeministri kishte mbajtur një fjalim fyese ndaj shqiptarëve në parlament, gjë që natyrisht reflektohet tek qytetarët dhe sjellja e tyre në publik,” deklaroi Taravari. Ai përmendi gjithashtu raportin e fundit të Bashkimit Europian, ku, sipas tij, konfirmohet ndikimi i thellë i “botës serbe” në politikat e Maqedonisë së Veriut – një faktor që po minon bashkëjetesën ndëretnike dhe stabilitetin institucional.
Në fund, Taravari e konsideroi pozitive ndarjen aktuale të spektrit politik shqiptar në Maqedoni: “Shqiptarët janë të ndarë në dy blloqe politike, gjë që është e shëndetshme për demokracinë dhe një shoqëri funksionale. Janë disa parti, por të pozicionuara qartë – kjo sjell konkurrencë dhe transparencë