FLASH :

Taktika/ Saliu proteston kundër BE, që të tijët mos të ngrihen kundër tij, por kësaj here ka prekur fundin

Sali Berisha, pas humbjes më të thelllë elektorale në historinë e Partisë Demokratike, nuk ka bërë autokritikë, nuk e ka pranuar humbjen, por në stilin e Bashës se “tani fillon beteja”, ka shpallur se do të protestojë në Tiranë, pranë Sheshit Skënderbej, ditën kur në këtë shesh do të mbahet Samiti i Bashkimit Evropian dhe ku të pranishëm do të jenë të gjithë liderët e kontinentit.

Kultura e mospranimit të humbjes është bërë bajat dhe nuk i shkon më një lideri politik shqiptar. Nuk jemi më në Shqipërinë e 1997, ku kjo kryeneçësi dhe dhuna të çonin diku.

Sot Shqipëria është shumë më Evropiane, se ajo ku i ka mbetur sahati Saliut.

Dhe në fakt, në momentin që zërat e parë kritikë të brendshëm po ngrihen fort kundër tij, Berisha nuk po pret këmbëkryq, por përkundrazi po hidhet në protestë ai i pari, përpara se të tijtë të marrin zemër, të shtohen dhe t’i kërkojnë që të largohet.

Por kundër kujt po proteston?

Berisha thotë se do ndërgjegjësojë BE për krimet e Ramës, ndërkohë që BE është ulur në tryezë pikërisht me Ramën.

Pasi u shpall non-grata nga SHBA, Berisha po bëhet një palaço edhe në sytë e BE.

Nga ana tjetër, ai po bëhet qesharak edhe para demokratëve. Pasi pak muaj më parë u tha këtyre se kishte vendosur në statut “nenin Basha”, që largonte automatikisht çdo kryetar humbës të zgjedhjeve, tani me një piruetë prej mashtruesi kronik, po thotë se do të qëndrojë.

Kupola e Partisë nuk e largon dot, sepse kësaj here e ka blinduar me më servilët dhe më të nënshtruarit e mundshëm, pikërisht sepse e priste humbjen dhe i kishte marrë paraprakisht masat.

Në këtë pikë, vetëm drejtësia mund t’u bëjë një nder të madh demokratëve, duke e dënuar penalisht Berishën për aferën “Partizani”, sikur qoftë edhe me një vit burgim, të shlyeshëm me arrest shtëpie për shkak të moshës, duke e bërë atë automatikisht të mos jetë më deputet në Parlament dhe të mos ketë mundësinë më të kandidojë për poste publike në 5 vitet e ardhshme.

Në atë pikë Berisha mund të bënte edhe gafën tjetër të shumëpritur, të vendosë të bijën Argita në krye të Partisë, atë që nuk bëri as Enver Hoxha.

Në këtë pikë, demokratët do ta kishin edhe më të qartë se partia e tyre nuk ka më asnjë shpresë dhe se në zgjedhjet e ardhshme, nga 50, do të katandiset në 25 deputetë.

Ky do të jetë pikërisht momenti kur e djathta e re do të lindë.

Dhe sinjalet nuk mungojnë. “Mundësia” e Agron Shehajt është aty dhe bashkë me të edhe mjaft deputetë të ndershëm dhe pozitivë brenda Partisë Demokratike, kryesisht nga ata të listës së hapur, të cilët Berisha i shihte me skpeticizëm, por edhe ua kishte nevojën.