Një shofer taksie është filmuar duke lëvizur në mënyrë të pakujdesshme në rrugët e Tiranës, pikërisht pranë godinës së Kryeministrisë, duke kryer tre shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit brenda vetëm një minute.
Mjeti në fjalë, një taksi me targa AH 847 T, shihet duke kaluar në mënyrë të rrezikshme rrugën, duke shpërfillur sinjalistikën dhe duke u sjellë si zot i rrugës në një nga zonat më të mbikëqyrura të kryeqytetit.
Në kushte normale, një taksist duhet të jetë një profesionist i mirëfilltë, një shofer me kuptimin e plotë të fjalës, i cili mban përgjegjësi për jetën e pasagjerëve dhe për sigurinë e qytetarëve. Por ky rast, fatkeqësisht, tregon të kundërtën. Kemi të bëjmë me një drejtues mjeti që nuk meriton as këtë emërtim, një shembull i versionit më të keq dhe më të rrezikshëm që mund të qarkullojë në rrugë.
Sjellja e tillë është e papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga autoritetet kompetente. Presim reagimin tuaj sipas ligjeve në fuqi, për të shmangur pasoja të mundshme tragjike dhe për të garantuar sigurinë rrugore.