Çfarë garancish sigurie është gati të japë Amerika? A do të rrisë ndihmën ushtarake, të dërgojë më shumë armë vdekjeprurëse apo edhe trupa në terren nëse Rusia shkel marrëveshjet e reja – ashtu siç ka bërë në të kaluarën? Askush nuk e di ende me siguri.
Përvoja e hidhur e së kaluarës e mëson Ukrainën se marrëveshjet me Rusinë nuk vlejnë as letrën mbi të cilën janë shkruar. Memorandumi i Budapestit i vitit 1994 dhe Traktati i Miqësisë i vitit 1997 nuk e ndaluan Rusinë që të pushtonte Krimenë në 2014. E as një seri marrëveshjesh armëpushimi që u hodhën poshtë po nga Moska.
Donbasi në qendër të diskutimeve – Rusia kërkon gjithçka, Ukraina nuk pranon të humbasë asnjë centimetër
Në takimin e sotëm në Shtëpinë e Bardhë, një ndër temat më të nxehta është fati i rajoneve të Donbasit – Donetsk dhe Luhansk. Rusia kërkon të marrë kontrollin e plotë, përfshirë edhe pjesët që aktualisht ndodhen nën kontrollin e Ukrainës. Sipas analistit ushtarak Justin Crump, këto qytete janë “barriera e fundit” dhe zemra e mbrojtjes ukrainase, për shkak të linjave strategjike të hekurudhës.
“Ukrainasit kanë luftuar për çdo centimetër toke. Ta dorëzosh Donbasin do të ishte e papranueshme,” thotë Crump për BBC.
Sulmet ruse nuk ndalen – Ukraina në flakë para samitit të paqes
Ndërsa presidenti Zelensky shkon në Uashington, Rusia vazhdon sulmet ajrore brutale. Brenda natës, 140 dronë dhe 4 raketa u lëshuan mbi qytete si Kievi, Kharkivi, Odesa, Dnipro dhe Sumy. 88 prej dronëve u rrëzuan nga forcat ajrore ukrainase.
Në Kharkiv, të paktën katër persona, përfshirë një fëmijë, humbën jetën, kur një dron rus goditi një bllok apartamentesh. Po ashtu në Zaporizhzhia, një person u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën, mes tyre dy fëmijë.
Krimea mbetet vijë e kuqe – Trump: “Nuk kthehet më!”
Presidenti Donald Trump ka përjashtuar mundësinë e rikthimit të Krimesë në Ukrainë, duke e bërë të qartë se NATO nuk është një opsion për Kievin. Në vend të saj, po diskutohet një marrëveshje sigurie “në stilin e Nenit 5 të NATO-s”, por jo nga NATO, direkt nga SHBA dhe vendet europiane.
Kjo marrëveshje, e cilësuar nga Zelensky si “historike”, do të parashikonte angazhim të drejtpërdrejtë të aleatëve perëndimorë në mbrojtjen e Ukrainës pas përfundimit të luftës – përmes një “forcë sigurie” që do të mbikëqyrte qiejt dhe detet e Ukrainës.
A mund të besohet Rusia? Historia thotë “jo”
Në vitin 1994, Rusia nënshkroi Memorandumin e Budapestit duke garantuar sovranitetin territorial të Ukrainës në këmbim të çarmatosjes bërthamore. Por vetëm 20 vjet më vonë, Rusia pushtoi Krimenë, duke nisur konfliktin që vijon edhe sot.
Për presidentin Zelensky, çdo marrëveshje pa përfshirjen e Ukrainës është e papranueshme. Në një mesazh të publikuar këtë mëngjes, ai tha:
“Jam i sigurt se do ta mbrojmë Ukrainën. Me forcën tonë të përbashkët me SHBA-në dhe miqtë europianë, do ta detyrojmë Rusinë të pranojë paqen e vërtetë.“
72 orë intensive diplomacie dhe tensioni
E premte – Trump takohet me Putinin në Alaskë. Takimi përfundon pa marrëveshje, por Trump heq dorë nga kërkesa për armëpushim dhe kërkon paqe të përhershme. Po atë ditë, fton Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë.
E diel – Liderët e BE-së konfirmojnë pjesëmarrjen në samitin e Uashingtonit. Steve Witkoff deklaron se Rusia pranon që Perëndimi t’i japë garanci sigurie Ukrainës. Trump poston në rrjet: “S’ka NATO për Ukrainën. S’ka kthim të Krimesë.”
Zelensky përgatitet për betejën diplomatike më të madhe
Pas një takimi të tensionuar në shkurt me Trump, këtë herë Zelensky është më i kujdesshëm dhe më i përgatitur. Ai nuk dëshiron përsëritjen e fyerjeve të mëparshme, por do të kërkojë me forcë që siguria dhe integriteti i Ukrainës të jenë të garantuara – me firmë dhe përgjegjësi të qartë ndërkombëtare.