“Takimi i parë përfundon në katastrofë: Trajneri pa patentë përplas 6 makina në autostardë, 7 policë përfundojnë në spital”

Një trajner personal 20-vjeçar, Mazyar Azarbonyad, shkaktoi një aksident dramatik me gjashtë makina në autostradën A1, duke dërguar shtatë oficerë policie në spital – e gjitha kjo gjatë takimit të tij të parë romantik.

Ngjarja ndodhi në orët e para të 9 prillit pranë kufirit midis Gateshead dhe Newcastle, ndërsa Azarbonyad, i cili po shoqëronte një vajzë në shtëpi me një BMW të fuqishme, u përpoq t’u shpëtonte forcave të policisë. Aksidenti përfshiu pesë makina policie dhe një veturë tjetër, duke bllokuar të gjitha korsitë e autostradës për më shumë se 12 orë.

Pamje tronditëse nga vendngjarja tregojnë një makinë të përmbysur pranë ndarjes qendrore dhe mbetje të shpërndara kudo. Një nga mjetet policore u dëmtua rëndë, me çatinë të shqyer dhe dyert e rrëzuara.

Në gjykatën e Newcastle, Azarbonyad – me origjinë nga Irani dhe banues në Stanley, County Durham – pranoi fajësinë për drejtim të rrezikshëm, mungesë patente dhe siguracioni, si dhe për refuzim të ndalimit nga policia. Ai gjithashtu u përball me akuza të tjera për drejtim të paligjshëm edhe pas aksidentit.

Vajza që ndodhej me të në makinë u arrestua fillimisht për ndihmë në drejtim të rrezikshëm, por u lirua pa akuza për këtë çështje. Megjithatë, ajo mbetet nën hetim për posedim të dyshuar të lëndëve narkotike.

Policia kishte tentuar ta ndalte shoferin fillimisht në Swalwell për një dritë të prishur në makinë, por ai u largua me shpejtësi drejt A1, ku ndodhi përplasja pranë rrethrrotullimit Denton – një vend i njohur për një tjetër incident tragjik në vitin 2010.

Të shtatë oficerët e plagosur janë tashmë jashtë rrezikut për jetën dhe janë liruar nga spitali. Ndërkohë, Azarbonyad ndodhet nën liri me kusht deri në seancën e dënimit që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Gjykatën e Lartë të Newcastle.