Mbledhja e Komisionit të Stabilizim-Asociimit mes Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë ka përfunduar pa një deklaratë të përbashkët mes palës opozitare dhe mazhorancës socialiste, duke reflektuar përçarjen e thellë mbi rrugën e integrimit europian të vendit. Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se opozita nuk ishte e gatshme të firmoste një tekst formal për “sy e faqe”, ndërsa realiteti në vend tregon një tjetër fytyrë.
Tabaku ngriti në tryezë shqetësime të thella mbi mungesën e sundimit të ligjit, proceset e deformuara zgjedhore, korrupsionin e përhapur dhe abuzimin me tenderat publikë. Ajo theksoi se “nuk ka integrim të vërtetë pa zgjedhje të lira, pa demokraci funksionale dhe pa reforma të thella që luftojnë korrupsionin”. Për opozitën, integrimi europian nuk duhet të reduktohet në një slogan qeveritar apo një destinacion diplomatik, por duhet të jetë një betejë për standarde të prekshme dhe ndryshim real në jetën e çdo qytetari shqiptar.