FLASH :

Tabaku: Qeveria nuk tregon ku shkojnë fondet publike, mungon transparenca në tendera

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar sot mashtrimet e fundit të qeverisë për luftën ndaj korrupsionit, duke theksuar se realiteti është krejt i kundërt me propagandën.

Sipas saj, që në ditët e para të mandatit të ri, platforma e blerjeve të përqendruara ka treguar mungesë totale transparence. “Në faqen e prokurimeve publike, dokumentet janë bosh për çdo vit. Nuk ka asnjë informacion për sektorin më të korruptuar – tenderat, koncesionet dhe prokurimet publike,” u shpreh Tabaku.

Ajo theksoi se qytetarët po paguajnë dy herë koston e korrupsionit: një herë për paratë që vidhen nga zyrtarët dhe herën e dytë për mungesën e transparencës që rrit vlerën e kontratave shumë mbi realitetin. “Kostoja e këtij sistemi jo transparent rëndon direkt në xhepat e shqiptarëve, ndërkohë që qeveria shpenzon miliona për propagandën e avatarëve digjitalë,” tha deputetja demokrate.

Tabaku paralajmëroi se ky model nuk do të ndryshojë për katër vitet e ardhshme nëse nuk ndërtohet një sistem i drejtë që lejon konkurrencë të vërtetë. “Korrupsioni nuk luftohet me propagandë, por me institucione të forta dhe rregulla që garantojnë barazi loje,” nënvizoi ajo.