FLASH :

Tabaku nga Como: Shqipëria ka nevojë për reforma të vërteta, jo fasada për BE-në

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njëherazi Kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, ndodhet në Como të Italisë ku po merr pjesë në një konferencë të rëndësishme ndërkombëtare të organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer (KAS), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të CDU, EPP dhe partnerëve të tjerë strategjikë të Shqipërisë.

Në fokus të kësaj konference është pikërisht rruga e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian dhe sfidat e reformave që kërkohen për të garantuar një integrim të suksesshëm dhe të besueshëm. Tabaku, si një nga zërat më të angazhuar në Kuvendin e Shqipërisë për çështjet e integrimit, ka mbajtur një rol aktiv në këtë tryezë duke kërkuar që procesi të mos mbetet peng i fasadave politike, por të mbështetet në reforma reale, gjithëpërfshirje dhe ndërtim institucionesh të pavarura.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku ka ndarë një foto nga takimi me deputetin gjerman Peter Beyer, një ndër njohësit më të mirë të rajonit në Bundestag dhe një mbështetës i vazhdueshëm i integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE. Tabaku dhe Beyer së fundmi kanë bashkëshkruar edhe një editorial të përbashkët në gazetën prestigjioze gjermane Frankfurter Rundschau, ku kanë artikuluar qartë nevojën për reforma të thella, zgjedhje të ndershme dhe media të lira si elementë thelbësorë për rrugëtimin europian të rajonit.

“Shqipëria ka vetëm një rrugë: reforma të thella dhe të ndershme, me gjithëpërfshirjen e opozitës dhe aktorëve të shoqërisë civile,” – ka deklaruar Tabaku, duke theksuar se çdo reformë e ndërtuar vetëm në funksion të propagandës qeveritare nuk i shërben as qytetarëve dhe as aspiratës europiane të vendit.

Si Kryetare e Komisionit për Integrimin Europian dhe një prej figurave më të votuara të opozitës, Jorida Tabaku vazhdon të jetë një prej zërave më të besueshëm në skenën politike shqiptare për partnerët ndërkombëtarë, duke ndërtuar ura besimi dhe duke përfaqësuar një vizion europian të bazuar në standarde dhe jo në kompromis me demokracinë.