FLASH :

Tabaku në Hekal: Respekt për njerëzit e punës që mbajnë fshatin gjallë mes mungesës së subvencioneve

Kandidatja për deputete në listën e hapur të Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvilloi një vizitë në një fermë familjare në fshatin Hekal, ku njohu nga afër sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen fermerët shqiptarë. Gjatë takimit me fermerët vendas, Tabaku vuri në dukje mungesën e mbështetjes shtetërore dhe vështirësitë infrastrukturore që rëndojnë mbi sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se pavarësisht mungesës së subvencioneve dhe fondeve nga AZHBR-ja, të cilat nuk kanë mbërritur asnjëherë në këtë zonë, fermerë si vëllezërit Sheshi kanë arritur të ndërtojnë me mund e sakrificë një biznes të qëndrueshëm. “Respekt i jashtëzakonshëm për njerëzit e punës si Ylli dhe vëllai i tij, që çdo gjë e kanë ngritur nga zero,” u shpreh ajo, duke i konsideruar historitë e tyre si shembuj të vërtetë të shpresës dhe qëndresës në fshat.

Tabaku nënvizoi angazhimin e Partisë Demokratike që pas datës 11 maj, fokusi kryesor do të jetë te mbështetja konkrete për blegtorinë, bujqësinë dhe çdo qytetar që jeton dhe punon me ndershmëri në Shqipëri. Ajo premtoi politika të reja që do t’u japin fermerëve ndihmën e munguar për vite me radhë dhe do të rikthejnë shpresën në zonat rurale të vendit.