FLASH :

Tabaku akuzon mazhorancën për shkelje të Kushtetutës: “Komisioni Xhafaj po mblidhet jashtë çdo norme ligjore”

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj mbledhjes së sotme të Komisionit Parlamentar të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, duke e cilësuar një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. Sipas Tabakut, zhvillimi i një dëgjesë publike për dy nisma të mbetura pezull prej vitesh — ligji për konfliktin e interesit dhe ligji për partitë politike — përbën një akt të paprecedent në kohë pushimi institucional, ku parlamenti dhe komisionet nuk kanë të drejtë të funksionojnë jashtë rasteve të jashtëzakonshme apo fatkeqësive.

“Komisioni Xhafaj, që në fillim ka shërbyer si një mjet i kapjes së procesit nga mazhoranca, sot po shkatërron çdo parim të bashkëpunimit politik. Kjo përpjekje për të mbajtur kontrollin mbi reformat, jashtë normave demokratike, është një sinjal ogurzi për sesionin e ardhshëm parlamentar”, shkruan Tabaku në rrjetet sociale. Ajo thekson se ligji për financimin e partive politike është një çështje kyçe që kërkon konsensus dhe konsultim gjithëpërfshirës, sipas standardeve të OSBE/ODIHR dhe angazhimeve të BE-së. “Nëse duam integrim real, duhet vullnet politik, jo manovra të njëanshme për të ruajtur pushtetin,” përfundon Tabaku.