Sulmi i Izraelit ndaj burgut Evin në kryeqytetin iranian, Teheran, të hënën, vrau 71 persona, sipas Mizan, agjencia e lajmeve pranë gjyqësorit iranian.
“Dëshmorët përfshijnë staf administrativ të burgut, ushtarë të rekrutuar, të burgosur, familjarë të të burgosurve që ndodheshin aty për vizita apo ndjekje ligjore, si dhe banorë të lagjes pranë burgut,” deklaroi zëdhënësi i gjyqësorit, Asghar Jahangir, në një deklaratë të publikuar të dielën.
Agjencia shtetërore e lajmeve Fars raportoi se “dëme të mëdha” janë shkaktuar edhe në zonën përreth.

Ushtria izraelite sulmoi hyrjen e burgut famëkeq Evin të Iranit të hënën, sipas ministrit izraelit të mbrojtjes dhe burimeve shtetërore iraniane të lajmeve.
Forcat e sigurisë në qendrën e paraburgimit Evin janë të njohura për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, sipas kritikëve të regjimit. Aktivistë politikë, gazetarë dhe muzikantë janë mes atyre që janë burgosur në këtë institucion.
Ende nuk është e qartë pse Izraeli e shënjestroi këtë objekt. Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, konfirmoi në një deklaratë se burgu Evin ishte një nga objektivat, krahas disa strukturave të tjera, përfshirë ndërtesën kryesore të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe selinë e Basijit (krahu paramilitar i IRGC-së), pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ministri i Jashtëm i Francës dënoi sulmin ndaj burgut, ku ndodheshin të burgosur edhe dy shtetas francezë.

“Sulmi ndaj burgut Evin në Teheran vuri në rrezik dy shtetasit tanë, Cécile Kohler dhe Jacques Paris, që mbahen peng prej tre vitesh. Kjo është e papranueshme,” shkroi Jean-Noël Barrot në një postim në rrjetin X pas sulmit.
Çifti ndodhej me pushime në Iran në maj 2022, kur u ndalua nga autoritetet dhe u arrestua nën dyshimet për spiunazh. Në tetor të atij viti, televizioni shtetëror iranian transmetoi një “rrëfim të detyruar” të tyre, ku Kohler deklaronte se ishte agjente e shërbimeve franceze të inteligjencës, DGSE.
Një armëpushim mes Iranit dhe Izraelit u shpall të hënën në mbrëmje, pas 12 ditësh shkëmbimesh sulmesh, të cilat nisën kur Izraeli sulmoi Iranin në fillim të këtij muaji.








