FLASH :

Sulmi i Palokës dhe Nokës ndaj gazetarëve i papranushëm/ Reagimi: S’e kanë fajin reporterët për humbjen e PD në 11 Maj!

Gjatë protestës së organizuar këtë të enjte nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij në Bulevardin “Zogu i Parë”, janë raportuar incidente ndaj gazetarëve të pranishëm në terren. Disa prej tyre janë ofenduar dhe penguar në kryerjen e detyrës së tyre profesionale, duke shkaktuar reagime të menjëhershme në rrjetet sociale dhe nga shoqëria civile.

Mes reagimeve, ka spikatur deklarata e Qëndresës Qytetare, e cila dënoi gjuhën fyese ndaj gazetarëve, duke theksuar se nuk janë ata shkaktarët e krizës së përfaqësimit dhe manipulimeve zgjedhore, por vetë procesi i zgjedhjeve të 11 majit.

Reporterët e terrenit nuk janë autorë të masakrës zgjedhore për të cilën protestohet, intimidimi i tyre nga deputetët e PD i papranueshëm! Sjellja e deputetëve të Partisë Demokrarike veçanërisht e Flamur Nokës dhe Edi Palokës ndaj reporterëve të terrenit që po ndiqnin protestën e opozitës ishte e papranueshme. Reporterët e terrenit prej 11 Majit janë në çdo qendër votimi dhe qendër numërimi dhe kanë ndjekur me profesionalizëm dhe përkushtim procesin zgjedhor. Të njëjtën gjë bënë sot në protestën e Partisë Demokratike, teksa në mënyrë abuzive u fyen nga ligjvënësit e parlamentit që do duhej ti mbronin. PD përgjegjësit për humbjen mos ti kërkojë tek reporterët e terrenit. Qëndresa Qytetare e dënon rëndë këtë akt dhe i kërkon shoqatave për mbrojtjen e gazetarëve të reagojnë urgjentisht për këtë agresion.

Organizata theksoi gjithashtu se gazetarët janë aty për të raportuar realitetin, dhe çdo përpjekje për t’i frikësuar apo penguar, është një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe transparencës publike.

Protesta e sotme ishte pjesë e valës së reagimeve të opozitës kundër rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, të cilat PD dhe grupimet e saj i konsiderojnë të manipuluara nga mazhoranca në pushtet.