Prej disa ditësh, një valë sulmesh kibernetike ka goditur rëndë disa nga aeroportet më të mëdha të Evropës, duke shkaktuar anulime dhe vonesa masive të fluturimeve. Mes më të prekureve janë aeroportet e Berlinit, Brukselit dhe Heathrow në Londër, të cilat po përballen me ndërprerje të mëdha në sistemet e regjistrimit dhe hipjes në avionë.
Sipas Agjencisë Evropiane për Sigurinë Kibernetike (ENISA), sulmi është rezultat i një ransomware të shpërndarë përmes një pale të tretë që synoi MUSE, një platformë softuerike kritike që operohet nga Collins Aerospace, kompani amerikane që ofron shërbime teknologjike për aeroporte në mbarë botën.
Aeroporti i Brukselit anuloi gjysmën e fluturimeve të tij të dielën, ndërsa Berlini dhe Londra po përballen me pasoja që vijojnë ende. Me sistemet jashtë funksionit, punonjësit janë detyruar të kthehen në procedura manuale, duke regjistruar pasagjerët dhe bagazhet me dorë, gjë që ka shkaktuar rradhë të gjata dhe kaos në terminale.
Ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet. Profesori i sigurisë kibernetike, Alan Woodward, thekson se prapa këtij sulmi mund të fshihen aktorë shtetërorë, duke përmendur Rusinë si vendin me më shumë gjasa që të ketë orkestruar këtë sulm, përmes grupeve kriminale si ndërmjetës.
Deri tani, informacionet zyrtare mbeten të kufizuara, por autoritetet evropiane janë në gatishmëri për përballimin e kërcënimeve të mëtejshme.